Gazetari Mentor Kikia, i ftuar në emisionin “Open” në News24, ka analizuar peizazhin politik në vend në prag të nisjes së fushatës zgjedhore të 11 majit, duke u ndalur veçanërisht te partitë e reja që po përpiqen të gjejnë vend në skenën politike shqiptare.
Sipas Kikias, shoqëria shqiptare është lodhur nga një kastë politike që, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, nuk ka lëvizur prej dekadash. “Shoqëria është e etur për alternativa të reja,” u shpreh ai, “por pyetja është çfarë ofrojnë ato?”
Kikia theksoi se ndershmëria dhe qëndrueshmëria e një partie nuk maten kur ajo është në opozitë, por në momentin kur merr pushtetin. “Edhe Edi Rama dikur kishte një kauzë të fortë – luftën kundër korrupsionit. Por sot, nuk ka asnjë dyshim se qeveria e tij ndodhet në një nga pikat më të larta të korrupsionit,” deklaroi ai.
Në përfundim, Kikia nënvizoi se partitë e reja do të duhet të japin përgjigje të qarta për dy çështje thelbësore: ofertën e tyre politike dhe alternativën ekonomike që i ofrojnë qytetarëve.