NGA FATMIRA NIKOLLI*

Korridore të gjata, lyer gjysmë në të bardhë e gjysmë në gri, me dhoma nga dy krahët. Tavane të larta, dyer, dritare, shkallë. Të gjitha “në gri të thellë”. Ky mund të ishte imazhi për spitalet shqiptare shtetërore. Një grup arkitektësh, me në krye Gjergj Islamin, çelin në datat 16-20 dhjetor ekspozitën në Galerinë Kombëtare të Arteve “Ndërtesa të Bardha – Arkitektura e Spitaleve 1945-1990”, duke pasur si qëllim kthimin e vëmendjes në një kapitull të pashkruar të historisë së arkitekturës shqiptare: në trashëgiminë e realizmit socialist.

Një grup arkitektësh me në krye Gjergj Islamin, Gjergj Thomain, Marsida Tuxharin (me ndihmën e Albano Guma, Ana Pekmezi, Bruno Rama, Dardan Vukaj, Eris Lila, Rahel Belegu, Suada Muraku) kanë marrë në duar 10 mijë fletë projektesh, për të përfshirë në një ekspozitë vetëm disa. “Termi ‘Ndërtesa të bardha’ u përdor për të afruar konceptin e një ekspozite teknike te njerëzit e thjeshtë e për t’i lidhur me bluzat e bardha. Në ekspozitë do të paraqiten vetëm projektet që tregojnë mendimin e arkitektit, çfarë synonte ndërtesa, pastaj menaxhimi, amortizimi, ndikimi i situatës ekonomike a politike te ndërtesa e tek individi janë jashtë arkitekturës”, – thotë Gjergj Islami. Ekspozita shfaq projektet e 25 spitaleve shqiptare. Ndër projektuesit kryesorë të ndërtimeve spitalore në periudhën 1945 – 1990, veçohen Skënder Luarasi, Mërgim Çano, Fredi Sallavaci, Faik Alimehmeti, Agim Myftiu, Adem Stërmasi etj. Janë pikërisht këta arkitektë që projektuan spitalet kryesore, të cilat vazhdojnë ende sot të jenë infrastruktura bazë e sistemit shëndetësor në Shqipëri.

Arkitektura e “komunizmit”
Në periudhën e regjimit, edhe arkitektura ndoqi stilin e realizmit socialist, siç ndodhte edhe me artin. Veçse, sipas Gjergj Islamit, që ka kryesuar grupin e arkitektëve, në arkitekturë kuadrati i rregullave ishte me fleksibël. “Më 1961-shin u prishëm me rusët dhe filluam të kemi jo më rrymë të diktuar, por një lloj pavarësie. Te arti ishte e thjeshtë të gjykoje për daljen ose jo nga linja, ndërsa tek arkitektura, kishte pak emra që gjykonin njëri-tjetrin. Kur u hoq diktati, filloi të përdorej një model kombëtar që ishte pjellë e realizimit socialist, por filloi të krijonte një karakter në bazë të arkitektëve të kohës, që varej nga profilet e tyre”, – shënon ai. “A janë këto, ndërtesa gri? Islami nuk është i këtij mendimi.

Spitalet me të mira
Sa mund të pretendohet për stil kur vjen puna tek objektet e kësaj natyre mbetet për t’u parë. Islami thotë se spitalet janë ndërtesa funksionale, me qëllim kryesor që: dhoma e pacientit, me dhomën e reanimacionit, me dhomën e mjekut të jenë të lidhura në mënyrë perfekte që të shërbejnë shpejt, kanë skema teknologjike funksionimi. “Unë u habita kur si arkitekt, pashë vepra shumë të mira arkitekture te spitalet. Ti pret të kesh planimetri të zgjidhura mirë, ama estetikisht nuk pret gjë. Çuditërisht ka projekte shumë të mira”, nënvizon ai, duke përmendur si shembuj Neuropsikiatrinë e Shkodrës, Spitalin e Peshkopisë, atë të Përmetit, që për kohën ishte projekt interesant. “Ishte zhvillim e përmirësim i projektit të spitalit të ndërtuar më herët në Sarandë”, – sqaron ai.

Pse janë të veçanta spitalet neuropsikiatrike? Islami, sqaron se kjo ka të bëjë me funksionin e spitalit. “Pavijoni i rehabilitimit psikik në Tiranë, që ndodhet pas Spitalit nr.5, është një grup ndërtesash të vogla që kanë një konceptim e formulim të jashtëzakonshëm. Neuropsikiatritë janë tipologji ndërtesash, brenda spitalit, pra nëntipe, të cilat kërkojnë kujdes të veçantë”. Sipas tij, për të mundësuar rehabilitimin e pacientëve sa më shpejt dhe pa krijuar gjendje të tendosur, ato kishin arkitekturë të ndryshme; jo imazhin e spitalit klasik, me korridor të gjatë e dhoma nga dy krahët.
“Edhe në Shkodër, edhe në Tiranë, kemi dy raste të mira ku arkitektura del jashtë çdo pritshmërie”, – thotë ai, ndërsa pyetjes se ku ndryshojnë spitalet psikiatrike nga spitalet ‘korridore me dhoma nga dy krahët’, ai përgjigjet: “Nuk kanë korridore fare! Ka hapësira, ka kënde, ka modele arkitekture që përsëriten në mënyrë herë të rregullt e herë të çrregullt, që sjellin gjendje krijuese. Ka kënde të pjerrëta; ndërkohë që projektet e zakonshme ishin me kënde pingule e të rregullta, këtu jemi jashtë kësaj”.

Brenda ndërtesave “dyer-dritare”
A janë ndërtimet në komunizëm, veçse ngrehina ku të fusësh kokën, me dyer e dritare? A nuk duken të gjitha njësoj? Ndërtesa katrore, pa bukuri të brendshme e as të jashtme, veçse funksionale? Islami thotë se në komunizëm u ndërtua shumë. Ka ndërtime as të bukura, as të mira, as cilësore. Por arkitektura matet te ndërtimet publike, që i shërbejnë individit, e pjesa tjetër është infrastrukturë ndihmëse. “Objektet publike të ndërtuara në atë kohë kanë ideologji të pastër, por nga ana arkitektonike janë shumë të mira. Arkitektët, edhe në kushte shumë të vështira ekonomike, kanë arritur të bëjnë projekte të mira, si për shembull Galeria Kombëtare e Arteve, Muzeu Historik Kombëtar, Piramida, Pallati i Kongreseve, Muzeu i Bajram Currit, TKOB etj.”.

Kur pyesim për të ‘bukurën’ në arkitekturë, marrim përgjigje se e thjeshta është e bukur, dhe për të arritur të thjeshtën duhet profesionalizëm i lartë. “Të ndërtojmë (sot) godina si Europa e Mesjetës, do ngjanim siç mund të ngjanin ministrat që shkojnë në mbledhje qeverie me kostume popullore. Ka një lloj marrëdhënieje mes formës dhe brendisë”.

Funksioni shtypës
Përveç funksionit si objekte për shërbime publike, godinat e epokës së realizmit socialist kishin edhe një tjetër funksion: atë shtypës. “Kërkohej arkitekturë shprehëse, monumentale, që nga ana ideologjike të transmetonte shumë tek individi. Herë-herë mund të ishte shtypëse në elementin politik, kishte qëllim të shprehte madhështinë e pushtetit, ta bënte individin të ndihej i vogël, hapësirat publike ishin shumë të mëdha, herë mahniteshe e herë trembeshe nga arkitektura, por rolin e bënte mirë”, – sqaron ai. Pa dhënë emra, Islami tregon se edhe në arkitekturë, si në art, kishte dënime. “Nëse në art kishte dënime, kishte dënime edhe në arkitekturë. Kishte autorë që ishin më të preferuar, kishte autorë më pak të preferuar, të cilët ishin të shkëlqyer dhe kishin volum pune. Kanë bërë mbi gjysmën e spitaleve në Shqipëri, por emri i tyre nuk është dëgjuar, për shkak të biografisë e problemeve të kohës.”
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb