TIRANË

Punimet që po kryhen nga firma zbatuese për kompleksin e katër pallateve 5 katëshe në Kodër-Vilë po mban me ankth banorët e Durrësit, të cilët prej muajsh vijojnë të kundërshtojnë me forcë ndërtimet në këtë zonë duke pretenduar se e drejta është në anën e tyre. Për këtë çështje dhe problematikë shqetësuese kanë folur sërish banorët.

Një nga përfaqësueset e banorëve, por edhe avokatja e tyre, ishin të ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, ku treguan se beteja ligjore me ndërtuesin vijon, ndërsa ato hodhën akuza të forta ndaj institucioneve shtetërore duke thënë se pretendimet e tyre nuk janë dëgjuar aq sa duhet.

“Vazhdojmë të jemi në proces gjyqësor ku gjykata e zvarrit këtë proces. Firma vijonte të hidhte beton pa asnjë ndërprerje edhe kur vendi goditej nga tërmetet. Ne jemi përpara një beteje, që çuditërisht i kemi të gjitha dyert e mbyllura. Ne e kuptojmë se korrupsionit është në nivele të jashtëzakonshme. Një pyetje do t’i bëja Valbona Sakos: Kur ra në 2011 kjo leje për sizmologjinë, si ndryshoi toka?. Unë i kam shkruar zonës Valbona Sako, por nuk më ka kthyer përgjigje për këtë rast. Zëri ynë nuk dëgjohet edhe pse kemi 6 muaj që e kërkojmë këtë gjë. Nuk e di se në çfarë gjuhë duhet të flasim, që institucionet të veprojnë”-tha njëra prej banoreve.

Nga ana tjetër, avokatja e banorëve theksoi se themelet ku do të ngrihen këto pallate janë të dëmtuara. Ajo tha se beson tek një vendim pozitiv nga ana e gjykatës në favor të banorëve.

“Kemi një leje të miratuar gabim dhe kemi një leje  të zbatuar gabim. Baza e themeleve ku do të rrinë  5-katëshet janë të dëmtuara. Ne ju kemi kërkuar institucioneve të reagojmë për këtë. Nga pikëpamja e procesit administrativ shpresojmë që ky proces të jetë drejt fundit. Ne presim që gjykata të marrë një vendim pozitiv. Terreni aty është shumë i pjerrët. Ku do të shkojnë ato dhera? Ne nuk kemi zgjidhje tjetër, do i drejtohemi Gjykatës së Apelit. Betejën do ta vazhdojmë. Ne kemi dërguar shkresa institucioneve për të treguar se jemi këtu dhe nuk është lënë çështja në harresë”-tha avokatja.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: