TIRANE – Ndryshimet në Kodin Penal, të propozuara nga qeveria, për ashpërsimin e dënimeve për ata që ndërtojnë pa leje, kanë ‘përplasur’ në Kuvend kryeministrin Edi Rama dhe deputetët Ben Blushi dhe Spartak Braho. Deputeti Blushi e konsideroi të tepruar kërkesën për burgosjen e qytetarëve që ndërtojnë pa leje, duke theksuar nevojën që të bëhet dallimi mes keqbërësit dhe nevojtarit.
“Unë hyj tek ata njerëz që fjala burg me shqetëson në fakt, nuk besoj se burgu është mundësia e vetme që kanë shqiptarët për tu korrektuar. Ka instrumente të tjera shteti për t’i korrektuar”-deklaroi Blushi.

Duke sjellë në vëmendje rezultatet e operacionit kundër vjedhjes së energjisë, shefi i qeverisë u shpreh i bindur se edhe në rastin e ndërtimeve pa leje efekti i ndryshimeve në Kodin Penal do të jetë pozitiv.

“Unë dua që çdo gjëjë t’i vë fjalën që ka. Këtu nuk bëhët fjalë për të futur në burg që ditën e parë dikë që ndërton pa leje, por për t’i dhënë fund një historie që vazhdon prej një çerek shekulli, që praktikisht i ka hequr Shqipërisë të drjetën dhe mundësinë që të ketë shekull të 20. S’kam asnjë kompleks të përdor fjalën burg kur bëhet fjalë për t’ju rikthyer lirinë dhe të drejtën atyre që pikërisht sepse e kanë zbatuar ligjin.”-deklaroi kryeministri Rama.

Nga ana e tij, deputeti Braho kërkoi riformulim të dispozitës për ndërtimet pa leje, pasi sipas tij nuk është paraqitur në mënyrë profesionale.
Për këtë arsye, u thirr një mbledhje e Komisionit të Ligjeve për riformulimin e amendamentit.
DEBATI NE KUVEND

Rama: “Përsa i përket ndërtimeve pa leje është koha që ne të marrim një vendim të qartë dhe të prerë në mënyrë që t’i hapim rrugë procesit të ndërtimit me leje. Shqipëria ka dështuar në implementim, në zbatim të legjislacionit dhe kushtet e parashikuara nga dokumentacioni ligjor. Eshtë spektakolar bumi i shkeljeve në ndërtimet me leje. Po nuk e futëm Shqipërinë në rrugën e duhur me energjinë dhe territorin kemi një situatë pasigurie totale qoftë për të drejtat e pronës, qoftë për të drejtat e qytetarëve dhe komuniteteve, qoftë për ambiciet e investitorëve etj. Sanksionet e propozuara janë në kenvështrimin tim minimale, sepse bëhet fjalë për njerëz që në grup me muaj të tërë dhe me vite për qëllime fitimi abuzojnë në mënyrë skandaloze me një të drejtë të marrë duke shkelur të drejtat e të tjerëve. Të njëjtin efekt si me energjinë do të marrim pasi të sanksionojmë edhe ndërtimet pa leje apo shkeljet e ndërtimeve me leje. duke filluar nga janari do të rishikojmë vendimin që morëm për të ngrirë aktivitetin njësive vendore lidhur me dhënien e lejeve, sepse nuk ka më shans që mbi lejet e dhëna të ketë abuzime”.

Braho: “Unë jam kundër sjelljes akademike të qeverisjes, por jam për akademizëm dhe profesionalizëm në hartimin dispozitave. ta riformulojmë dispozitën ashtu siç duhet, kështu nuk është profesionale. ta rregullojmë dispozitën dhe ta votojmë”.

Rama: “Jam dakord, unë mbrojta qëllimin jo formulimin. Kjo është mënyra se si duhet të ndërveprojë qeveria me komisionin e ligjeve. 5 minuta 10, 15 absolutisht dakord. Të mbrohet ky qëllim, pastaj formulimi është tërësisht kompetencë e juaja”.

Blushi: “Dua të bëj një sqarim. Gjithë këta burra e gra këtu kanë qënë në opozitë dhe nuk kanë inkurajuar shkeljet. Ky amendament nuk përzgjedh mes keqbërësit dhe nevojtarit. Këtë ky amendament nuk e merr përsipër. Penalizojini ndërtuesit e mëdhenj, por ky amendament konsideron njëlloj një fshatar në Ibë, i cili është i detyruar të rregullojë murin e shtëpisë, i keni futur të dy në një thes. Eshtë e drejtë mendoni ju që dikush në një fshat ndërton në tokën e vet. Unë hyj tek ata njerëz që fjala burg më shqetëson në fakt, nuk besoj se burgu është mundësia e vetme që kanë shqiptarët për tu korrektuar. Ka instrumente të tjera shteti për ti korrektuar. Jam dakord me propozimin e zotit Braho, ky amendament duhet të rishikohet. Dhënie ndihmë, e di çafrë është nëse një punëtor në fshat të ndihmon të ndërtosh murin, dhe ky duhet të shkojë në burg. Ka shumë mundësi që ky amendament të rishikohet për ta rregulluar.

Rama: Faleminderit për vërejtjen. Nuk është origjinale sepse ka kohë që e bën opozita për përdorimin e tepërt të fjalës burg. Unë dua që çdo gjëjë t’i vë fjalën që ka. Këtu nuk bëhët fjalë për të futur në burg që ditën e parë dikë që ndërton pa leje. Por për ti dhënë fund një historie që vazhdon prej një çerek shekulli, që praktikisht i ka hequr Shqipërisë të drejtën dhe mundësinë që të ketë shekull të 20. S’kam asnjë kompleks të përdor fjalën burg kur bëhet fjalë për t’ju rikthyer lirinë dhe të drejtën atyre që pikërisht sepse e kanë zbatuar ligjin, nuk kanë guxuar të venë një tullë as në tokën e tyre pa leje, sot kanë humbur tokën e tyre, kanë humbur mudnësinë që të ndjehen mirë se janë qytetarë që respektojnë ligjin. Përballë këtij kanceri unë nuk shoh mundësinë e një terapie tjetër përveç një terapie intensive dhe radikale. Këtu nuk ka asnjë shpikje”.

PROPOZIMET E QEVERISE
Qeveria ka dorëzuar në Kuvend ndryshimet në Kodin Penal që parashikojnë ashpërsimin e dënimeve për ata që bëjnë ndërtime dhe çdo lloj punimi pa leje. Ligji i ri parashikon dënimin me burg për këdo që ndërton pa leje dhe ka hequr mundësinë e gjobës për këta kundërvajtës. Gjithashtu, kjo vepër penale do të gjykohet jo më nga një gjykatës i vetëm, por nga një trupë gjyqtarësh e përbërë nga 3 persona. Dënimi nuk do të prekë vetëm “të zotin” e ndërtimit, por gjithkënd që e ndihmon atë në këtë proces: duke nënkuptuar edhe punëtorët dhe “ustallarët”.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: