NGA: ORNELA MANJANI
Personat që kanë ndërtuar pa leje deri në gusht të vitit 1991 do të pajisen me tapi shtëpinë dhe tokën mbi të cilën kanë ndërtuar, por duhet të paguajnë më parë paratë e tokës. Deri tani pajisja me dokument pronësie për këto ndërtime nuk kërkonte pagesën e truallin. Qeveria ka miratuar tabelën me çmimet, që nisin nga 200 mijë lekë për 100 m2 deri në 600 mijë lekë për 500 m2. Një kusht tjetër për pajisen me certifikatë pronësie të ndërtimeve të kryera mbi 25 vite më parë është se ato duhet të ketë përfunduar para datës 10 gusht 1991. Vendimi ka hyrë dje në fuqi dhe përveç pagesës së tokës, ngarkon Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Drejtësisë të miratojnë tarifat e shërbimit për regjistrimin dhe pajisen me tapi të këtyre ndërtimeve.

Pagesa
Sipas vendimit, për sipërfaqe deri në 100 m2 pagesa është përcaktuar në 200 mijë lekë dhe për sipërfaqe nga 101 m2 deri në 200 m2 çmimi është 300 mijë lekë. Sipas vendimit, për sipërfaqe nga 201 m2 deri në 300 m2 çmimi është 400 mijë lekë. Ndërkohë, për sipërfaqe nga 301 m2 deri në 400 m2 pagesa 500 mijë lekë. Për sipërfaqe nga 401 m2 deri në 500 m2 është 600 mijë lekë.

Shqyrtimi i kërkesës
Verifikimi i kushteve bëhet nëpërmjet inspektimit në terren nga punonjësit të ALUIZNI-t, si dhe nga marrja e informacionit zyrtar nga institucionet shtetërore. “Në çdo rast, institucioni i autorizuar kërkon detyrimisht informacion zyrtar pranë zyrës përkatëse vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Agjencisë së Trajtimit të Pronave, ALUIZNI-t, Zyrës së Gjendjes Civile dhe/apo çdo organi tjetër shtetëror që administron të dhëna apo informacion për pasurinë e paluajtshme objekt shqyrtimi dhe për vërtetimin e gjendjes familjare të poseduesit të pasurisë së paluajtshme përpara datës 10.8.1991”, – thuhet në shtesën që i bëhet pikës 6 shkronja B, ku parashikohet shqyrtimi i kërkesës për pajisje me dokument pronësie. “Korrespondenca bëhet pjesë e dosjes. Çdo institucion shtetëror është i detyruar të kthejë përgjigje me shkrim brenda 10 ditëve nga data e marrjes së kërkesës. Në rast të moskthimit të përgjigjes brenda këtij afati, drejtuesi i institucionit të autorizuar njofton me shkrim ministrin e Drejtësisë dhe kabinetin e kryeministrit”, -thuhet në VKM. Institucioni i autorizuar brenda 30 ditëve nga miratimi i këshillit të qarkut, bën kalimin e pronësisë së pasurive së paluajtshme e të truallit funksional të tyre, në emër të personave, sipas përbërjes familjare që figuron në certifikatën familjare deri më 10.8.1991 dhe e dërgon vendimin për regjistrim në ZVRPP-në kërkuese, duke vënë në dijeni dhe personat përfitues. Vendimit i bashkëlidhet kopja e njësuar e dosjes me dokumentacionin e plotë. Së bashku me dërgimin e vendimit për regjistrim, institucioni i autorizuar (bashkia) njofton ZVRPP-në edhe për faktin nëse subjekti përfitues ka kryer ose jo pagesën e tarifës së shërbimit dhe pagesën e çmimit për tjetërsimin e truallit funksional.

Në rast se shqyrtimi i kërkesës në institucionin e autorizuar është iniciuar me kërkesë të individit, institucioni i autorizuar brenda 7 ditëve nga miratimi i këshillit të qarkut, por përpara nënshkrimit të aktit përfundimtar të kalimit të pronësisë dhe dërgimit të tij për regjistrim, njofton zyrtarisht kërkuesin për vlerësimin pozitiv të kërkesës, si dhe për detyrimin për të paguar brenda 30 ditëve për llogari të Agjencisë së Trajtimit të Pronës, për fondin e kompensimit financiar, çmimin e truallit, duke i treguar edhe numrin e llogarisë. Në njoftim jepen të dhëna për kufijtë, sipërfaqen në m2 dhe vendndodhjen e pasurisë objekt kalimi në pronësi të shoqëruar me genplanin dhe planimetrinë përkatëse. Kërkuesi, me marrjen e njoftimit, paguan në numrin e llogarisë së caktuar për llogari të fondit të kompensimit të pronave, kundërvlerën në lekë për sipërfaqen e truallit që do të kalojë në pronësi të tij.

Pagesa e truallit
“Vlera në lekë që do të paguhet nga kërkuesi për kalimin në pronësi të truallit dhe që përfshihet në ato raste që parashikon shkronja B e pikës 4 së vendimit, e cila përcakton se, “Institucioni i autorizuar ngarkohet të kryejë procedurën paraprake për kalimin në pronësi të ndërtimeve, të pasurive të paluajtshme e të truallit funksional të tyre, subjekteve që plotësojnë kushtet e përcaktuara, si më poshtë vijon: b) Trualli funksional duhet të rezultojë fizikisht i lirë dhe i pazënë nga ndërtime pa leje, të cilat janë objekt i ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Madhësia e sipërfaqes së truallit funksional në posedim të përfituesit të jetë ajo që është miratuar sipas dispozitave ligjore ekzistuese deri në daljen e ligjit nr. 7693, datë 6.4.1993 “Për urbanistikën”. Me paraqitjen e dokumentit bankar që vërteton kryerjen e pagesës së kalimit në pronësi të truallit, institucioni i autorizuar, brenda 20 ditëve nga administrimi i tij nënshkruan aktin përfundimtar të kalimit të pronësisë së pasurive së paluajtshme e të truallit funksional të tyre në emër të personave, sipas përbërjes familjare që figuron në certifikatën familjare deri më 10.8.1991 dhe e dërgon vendimin për regjistrim në ZVRPP-në përkatëse, duke vënë në dijeni dhe personat përkatës përfitues. Vendimit i bashkëlidhet dokumentacioni hartografik, që evidenton pasurinë objekt kalimi në pronësi, kopja e njësuar e dosjes me dokumentacionin e plotë, e cila përfshin dhe dokumentacionin bankar që vërteton kryerjen e pagesës së truallit.

Pagesat për truallin dhe tarifat
Në rast se procedura e kalimit të pronësisë së pasurisë së paluajtshme, sipas këtij vendimi, nuk ka nisur me kërkesë të përfituesit dhe ndërkohë organi i autorizuar ka përcjellë dokumentacionin për regjistrim, shoqëruar edhe me të dhënat përkatëse, atëherë përpara pajisjes me certifikatë pronësie, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme brenda 7 ditëve nga administrimi i akteve është e detyruar të njoftojë subjektin përfitues për:

-Të realizuar pagesën e tarifës së shërbimit për llogari të institucionit të autorizuar në numrin e llogarisë bankare të këtij të fundit. Masa e tarifës së shërbimit caktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe të ministrit të Drejtësisë.
-Detyrimin për të realizuar pagesën për çmimin për kalimin në pronësi të truallit. Kërkuesi, me marrjen e njoftimit, paguan në numrin e llogarisë së caktuar, për llogari të Agjencisë së Trajtimit të Pronës për fondin e kompensimit të pronave, kundërvlerën në lekë për sipërfaqen e truallit që ka kaluar në pronësi të tij, sipas vendimit të institucionit të autorizuar. Kjo pagesë i referohet aneksit nr.3, bashkëlidhur këtij vendimi.
-Pas administrimit të dokumentacionit bankar që vërteton kryerjen e këtyre pagesave, zyra e regjistrimit nëse nuk ka vërejtje apo kundërshtime të tjera, vijon shqyrtimin e praktikës.
– Në rastin e kërkesave tashmë të paraqitura dhe për të cilat institucioni i autorizuar nuk ka dhënë ende vendim, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, shqyrtimi i kërkesës dhe i dokumentacionit do të vazhdojë duke plotësuar edhe kushtet e parashikuara nga ky vendim.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: