NGA: ORNELA MANJANI
Personat që kanë ndër tuar pa leje deri në gusht të vitit 1991, do të pajisen me tapi për shtëpinë dhe tokën mbi të cilën kanë ndërtuar, por duhet të paguajnë më parë paratë e tokës. Deri tani, pajisja me dokument pronësie për këto ndërtime nuk kërkonte pagesën e truallit. Një kusht tjetër për pajisjen me certifikatë pronësie të ndërtimeve të kryera mbi 25 vjet më parë është se ato duhet të ketë përfunduar para datës 10 gusht 1991. Përfshirja e pagesës së tokës për këtë kategori është parashikuar në shtesën që i bëhet pikës 8, të vendimit nr.608, datë 5.9.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurës së kalimit të pronësisë të pasurive të paluajtshme, të ndërtuara deri më 10.8.1991, e të truallit funksional të tyre, kur nuk posedohen akte fitimi pronësie, si dhe për regjistrimin e tyre”, të ndryshuar. Vendimi është marrë dje në Këshillin e Ministrave dhe, përveç pagesës së tokës, ngarkon Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Drejtësisë të miratojë tarifat e shërbimit për regjistrimin dhe pajisen me tapi të këtyre ndërtimeve.

SHQYRTIMI I KËRKESËS
Verifikimi i kushteve bëhet nëpërmjet inspektimit në terren nga punonjësit e tij, si dhe nga marrja e informacionit zyrtar nga institucionet shtetërore. “Në çdo rast, institucioni i autorizuar kërkon detyrimisht informacion zyrtar pranë Zyrës përkatëse Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencisë së Trajtimit të Pronave, ALUIZNI- t, Zyrës së Gjendjes Civile dhe/apo çdo organi tjetër shtetëror që administron të dhëna apo informacion për pasurinë e paluajtshme objekt shqyrtimi, dhe për vërtetimin e gjendjes familjare të poseduesit të pasurisë së paluajtshme përpara datës 10.8.1991”, thuhet në shtesën që i bëhet pikës 6, shkronja b, ku parashikohet shqyrtimi i kërkesës për pajisje me dokument pronësie.

“Korrespondenca bëhet pjesë e dosjes. Çdo institucion shtetëror është i detyruar të kthejë përgjigje, me shkrim, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së kërkesës. Në rast të moskthimit të përgjigjes brenda këtij afati, drejtuesi i institucionit të autorizuar njofton, me shkrim, ministrin e Drejtësisë dhe kabinetin e Kryeministrit”, thuhet në VKM. Institucioni i autorizuar, brenda 30 ditëve nga miratimi i këshillit të qarkut, bën kalimin e pronësisë së pasurive së paluajtshme e të truallit funksional të tyre, në emër të personave, sipas përbërjes familjare që figuron në certifikatën familjare deri më 10.8.1991, dhe e dërgon vendimin për regjistrim në ZVRPP-në kërkuese, duke vënë në dijeni edhe personat përfitues. Vendimit i bashkëlidhet kopja e njësuar e dosjes me dokumentacionin e plotë. Së bashku me dërgimin e vendimit për regjistrim, institucioni i autorizuar (bashkia) njofton ZVRPP-në edhe për faktin nëse subjekti përfitues ka kryer ose jo pagesën e tarifës së shërbimit dhe pagesën e çmimit për tjetërsimin e truallit funksional. Në rast se shqyrtimi i kërkesës në institucionin e autorizuar është iniciuar me kërkesë të individit, institucioni i autorizuar, brenda 7 ditëve nga miratimi i këshillit të qarkut, por përpara nënshkrimit të aktit përfundimtar të kalimit të pronësisë dhe dërgimit të tij për regjistrim, njofton zyrtarisht kërkuesin për vlerësimin pozitiv të kërkesës, si dhe për detyrimin për të paguar brenda 30 (tridhjetë) ditëve, për llogari të Agjencisë së Trajtimit të Pronës, për fondin e kompensimit financiar, çmimin e truallit, duke i treguar edhe numrin e llogarisë.

Në njoftim jepen të dhëna për kufijtë, sipërfaqen në m2 dhe vendndodhjen e pasurisë objekt kalimi në pronësi, të shoqëruar me genplanin dhe planimetrinë përkatëse. Kërkuesi, me marrjen e njoftimit, paguan në numrin e llogarisë së caktuar, për llogari të fondit të kompensimit të pronave, kundërvlerën në lekë për sipërfaqen e truallit që do të kalojë në pronësi të tij.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: