Paralelisht me investimin e qeverisë gjermane, përmes KfW, i cili parashikon furnizimin e ujë të qytetit të Prrenjasit dhe zonës së Rrajcës, qeveria shqiptare po investon në disa fshatra të tjerë në mënyrë që e gjithë Bashkia Prrënjas të mos vuajë më mungesën e ujit të pijshëm.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Nuri Belba inspektuan ecurinë e punimeve në fshatin Dritaj.

Në fjalën e tij Balla tha se falë investimit me vlerë 1.3 miliardë lekë, 7 mijë banorë të fshatrave Dritaj, Fanjë dhe Karkavec, në Bashkinë e Prrenjasit, do të mund të furnizohen me ujë të pijshëm.

“Këtu jemi me një investim tërësisht të qeverisë shqiptare e që garanton ujë të pijshëm cilësor për 7 mijë banorë, pra të gjithë pjesën jugore të Bashkisë Prrenjas.

E gjithë Bashkia e Prrenjasit po mbulohet me investime për ujin e pijshëm, për të cilin nuk ishte bërë asnjë investim prej 30 vitesh.

Por tashmë, brenda dy viteve të para të mandatit të Nuri Belbës në krye të bashkisë, vuajtja për ujë të pijshëm do të marrë fund.
Po ashtu, investimi parashikon edhe vendosjen e matësave, sepse uji i pijshëm është pasuri kombëtare dhe nuk duhet përdorur për vaditje”, deklaroi Balla.

Ndërsa kryetari i Bashkisë tha se ndërtimi i ujësjellësit u vjen në ndihmë banorëve të cilët prej kohësh e kanë kërkuar një investim të tillë ndërsa shtoi se edhe pajisja me sahatmatës do të jetë investim i qeverisë.

Uji që do të furnizojë këto fshatra rrjedh nga shpella e Debrovës, punimet kanë qenë të vështira për shkak të terrenit shkëmbor, ndërsa aktualisht janë drej përfundimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb