SHKODËR- Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto i shoqëruar nga Zëvendës Ministrja e Integrimit Erisa Xhixho dhe Shefi i Bashkëpunimit i Delegacionit të BE-së në Shqipëri Yngve Engström inspektuan sot përfundimin e punimeve të Fazës së Parë të projektit të ndërtimit të Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Zeza në zonën e Velipojës.

Ministri Haxhinasto vlerësoi standardin e larta të punimeve në ndërtimin e këtij impianti dhe shprehu falënderimet e tij për financimin e Bashkimit Evropian dhe bashkëpunimin për këtë projekt, si një investim shumë i rëndësishëm për vitalizimin e zonës turistike të Velipojës dhe përmirësimin e jetës së banorëve të saj.
“Shumë e rëndësishme është të realizohet nga banorët dhe biznesi lidhja sa më shpejt dhe të ndërgjegjësohen të mos të përdorin më gropat septike. Kështu shmanget ndotja mjedisore dhe degradimi i ujit të detit apo ujërave të tjerë nëntokësorë. Për këtë kërkoj angazhim maksimal të të gjithë autoriteteve për ndërgjegjësimin e banorëve, duke përfshirë Komunën, Drejtuesit e Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër”, tha Haxhinasto.

Shefi i Bashkëpunimit i Delegacionit të BE-së në Shqipëri Yngve Engström vlerësoi punën në përmbylljen e fazës së parë të projektit dhe theksoi se ky është një nga investimet më të mëdha të BE-së në programin e saj të zonave bregdetare në Shqipëri. “Ky investim është shumë i rëndësishëm për çështjet ambientale, por gjithashtu edhe për shëndetin e banorëve Do të nënvizoj edhe një herë atë që tha Ministri Haxhinasto, që është e rëndësishme për zhvillimin e industrisë, së bizneseve dhe familjarëve, realizimi i lidhjeve nga ana e tyre. Ne e dimë që gjithmonë ka një kosto, por krahasuar me përfitimet e mëdha që kemi në ekonomi dhe në turizëm kjo kosto është e pakrahasueshme dhe e papërfillshme”, tha Engström.

Gjatë këtij inspektimi final u ndezën me kapacitet të plotë makineritë e instaluara në impiant për Fazën 1. Në ditët e ardhshme do të firmoset dhe proces-verbali i marrjes në dorëzim të objektit mes DPUK-së dhe Delegacionit të BE-së në Shqipëri. UK Fshat Shkodër do të jetë operuesi dhe mirëmbajtësi i këtij sistemi.

Ky projekt IPA është financuar nga Bashkimi Evropian në Shqipëri me një vlere totale te investuar për projektin e plotë rreth 18 milionë euro. Realizimi i plotë i investimit pritet të kryhet brenda muajit mars 2016. Kapaciteti i ndërtuar për Fazën e Parë të impiantit është 18.000 banorë, me vlerë rreth 3.5 milionë euro dhe ka përfunduar plotësisht. Përfundimi i projektit në 2016 do të mbulojë 100% kapacitetin e parashikuar ose 55.000 banorë.

Ky projekt do të mundësojë dhe synojë, edhe shmangien e ndotjes mjedisore, për të evituar praktikën e aplikuar deri më tani të gropave septike në zonën turistike dhe plazhin e Velipojës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb