Nga: Klodjana Haxhiaj

Enertila Beqja, 27-vjeçarja që ka mashtruar të dashurin e saj, duke i zhvatur 60 mln lekë, ka tentuar të mashtrojë edhe hetuesit, duke deklaruar se është shtatzënë, por analizat kanë treguar të kundërtën.

Burime pranë grupit hetimor dje bënë me dije se 27-vjeçarja ka deklaruar se është e fejuar me një djalë nga një fshat tjetër dhe se ishte shtatzënë.

“Nuk mund të më mbani këtu në polici pa dëshirën time, pasi jam shtatzënë dhe pres një fëmijë”, – u ka thënë Enertila Beqja oficerëve të policisë. Ajo u ka thënë hetuesve se orenditë i kishte sjellë në shtëpi i fejuari i saj dhe jo 30-vjeçari Barush Ahmeti. Ndërkaq, prokuroria kërkoi bërjen e analizave në mënyrë urgjente nga ku rezultoi se 27-vjecarja nuk ishte shtat-zënë.

“Pas nisjes së çështjes penale ndaj saj, të gjitha sendet dhe orenditë shtëpiake (divanet, soba ngrohjes e të gatimit, televizori, frigoriferi etj.) janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga prokurori i çështjes. Orenditë e blera nga 30-vjeçari janë dërguar në magazinat e shtetit, ndërsa në mbyllje të procesit gjyqësor do t’i kalojnë në pronësi Barush Ahmetit”, pohuan burimet nga prokuroria. Pas kryerjes së analizave, policia vuri në pranga të renë.

Dje “Gazeta Shqiptare” ishte në banesën e Enertila Beqjas. Shtëpia ishte e kyçur, ndërsa prindërit e saj ishin larguar prej aty. Banesa e rikonstruktuar gjatë vitit të fundit kishte mbetur e shkretë. Rrushi i vjelë nga hardhitë ditë më parë ishte lënë në mes të verandës. Fqinjët u shprehën se çifti Beqja kishte vetëm një vajzë, Enertilën, e cila që pas mbarimit të gjimnazit qëndronte e papunë në shtëpi. Vajza hiqej se ishte fejuar, por të fejuarin nuk ia kishte parë asnjë njeri.

Familja treanëtarëshe nuk komunikonte pothuajse me të gjithë banorët e lagjes. Ata nuk flisnin me komshinjtë, ndërsa këta të fundit thanë se ishin trembur mjaft kur kishin parë policinë në derën e shtëpisë së familjes Beqja, e cila u kishte sekuestruar orenditë e shtëpisë. Lajmi për arrestimin e vajzës kishte marrë dhenë në fshat e jo vetëm, ndërsa të gjithë banorët thanë se vajza qëndronte e tërhequr dhe nuk linte shkas për biseda me ta. “Gazeta Shqiptare” kontaktoi edhe me 30-vjeçarin Barush Ahmeti, por ky i fundit tha se nuk donte që të jepte asnjë shpjegim. “I kam thënë të gjitha në polici dhe nuk flas për asgjë, pasi është jeta ime private”, u shpreh Ahmeti.

Shkrimin e plotë e gjeni sot në Gsh.al në linkun http://www.gsh.al/2017/09/28/foto-prinderit-e-27-vjecares-kycin-shtepine-flasin-komshinjte-enertila-qendronte-e-terhequr-slinte-shkas-per-biseda/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb