TIRANË – Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj me anë të një postimi të publikuar në rrjetin social “Facebook” ka përcjellë sot një mesazh mirëseardhjeje për skuadrën izraelite të futbollit, që mbrëmjen e nesërme pritet të zhvillojë një ndeshje me kombëtaren shqiptare në kuadër të eliminatorëve të Botërorit “Rusi 2018”.
Duke kujtuar që shqiptarët strehuan mijëra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, Bruçaj thekson se populli shqiptar historikisht ka ditur të ruaj vlerat e larta humane të mikpritjes dhe harmonisë fetare.
MESAZHI I PLOTË I SKËNDER BRUÇAJ
Krenarë për popullin tonë ndër shekuj, që diti historikisht të ruante vlerat më të larta humane, atë të mikpritjes dhe tolerancës e harmonisë ndërfetare.
Krenarë për të parët tanë myslimanë shqiptarë, besimtarë e bujarë, që strehuan mijëra hebrenj në shtëpitë e tyre gjatë Luftës së II-të Botërore, duke u bërë vendi i vetëm në Evropë, që kishte më shumë hebrenj pas lufte se para saj.
Sportistëve dhe mysafirëve nga Izraeli i uroj qëndrim të qetë e në paqe në token shqiptare!
Dhe gjithashtu i uroj fitore kombëtares së mrekullueshme shqiptare, për të cilën jemi të gjithë krenarë!
brua
RREZIKU NGA SULMET TERRORISTE
Agjentë të dy shërbimeve sekrete kanë ardhur ditët e fundit në Tiranë, ku kanë zhvilluar takime të vazhdueshme me zyrtarë të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Shtetit, kryesisht me ata të Antiterrorit. Mësohet se agjentë të MOSAD dhe të një shërbimi tjetër sekret kanë zbarkuar në Shqipëri për hetimet e xhihadistëve të arrestuar pak ditë më parë në qytetin e Shkodrës. Lavdërim Muhaxheri dhe Ridvan Haqifi dyshohet se janë personat që kanë dhënë urdhëra për sulme terroriste në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Sipas raportimeve në media, dy të dyshuarit, të cilët janë shumë aktiv si pjesë e celulave terroriste ISIS gjatë luftimeve në Siri dhe Irak, kanë patur komunikim të vazhdueshëm me shtetasit shqiptar nga Kosova, disa prej tyre tashmë të arrestuar ditëve të fundit. Burimet thanë se gjatë këtyre komunikimeve, është arritur transkiptohen disa biseda, ku është kërkuar që të organizohet një sulm me eksploziv, dhe më pas me armë në stadiumin “Loro Borçi të Shkodrës, gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael, sipas skenarit “Bataclan” që u ndoq gjatë sulmeve terroriste në Paris
ARRESTIMET NE SHKODER
Burime pranë hetuesve të çështjes bënë me dije se agjentët e huaj u kanë dhënë hetuesve të vendit tonë disa emra të shoqëruar me fotot përkatëse të disa personave që dyshohen për prirje radikale, si dhe persona që bashkëpunonin me shtetasit Xhezair Fishti, Ergys Faslia, Bekim Protopapa dhe Medat Hasani, të cilët u arrestuan në Shkodër nga Antiterrori. Sipas të njëjtave burimeve, raportohet se në këtë qytet u arrestuan 9 persona, që dyshohet se bashkëpunonin me njëri-tjetrin për rekrutime në Siri, por 5 prej tyre iu dërguan autoriteteve në Kosovë nën masa të rrepta sigurie. Ndërsa, katër personat e tjerë aktualisht ndodhen në paraburgim në vendin tonë, pasi gjykata me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda vendosi ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg”.


(BalkanWeb)