Edon Zhegrova do t’i mungojë Lilës, në ndeshjen e parë të vitit 2025. Zhegrova ende po vuan nga lëndimi i muskulit aduktor dhe nuk do të jetë në gjendje ta ndihmojë skuadrën e tij në duelin ndaj Nantesit.
Sfida zhvillohet të shtunën nga ora 19:00, dhe i takon xhiros së 16-të të elitës së futbollit francez. Lajmin për mungesën e tij të shtunën, e ka konfirmuar në konferencën për shtyp trajneri Bruno Genesio.
“Edon Zhegrova do të mungojë sepse ende po e mundon lëndimi i muskulit aduktor. Kemi vendosur qe t’i japim kohë të shërohet plotësisht dhe të jetë i gatshëm për lojë 100 për qind. Nuk kam informatë të saktë se për sa kohë do të mungojë”, ka deklaruar të premten trajneri Genesio.
Përveç Zhegrovës, Lillet do t’i mungojnë edhe disa futbollistë tjerë. Zhegrova ishte prej lojtarëve më të mirë të Lilës deri tani në këtë edicion. Në 21 paraqitje në të gjitha garat, ka shënuar tetë gola e ka kontribuuar me dy asistime.