Tek Real Madrid bëhen supersticioz. Ekipi madrilen do të synojë kurorën numër 16 në historinë e tyre dhe që të jenë kampionët e parë, me ndryshimin e formatit të kompeticionit më madhështor për klube. Sipas së përditshmes spanjolle “AS” Real Madrid në 7 fitoret e fundit të Championsit në këtë shekull të ri, ka arritur gjithmonë ta fitojë sfidën e parë të edicionit. Kështu duke nisur nga sezoni 2001-2002, ku Real fitoi ndeshjen e parë ndaj Romës e më pas ngriti lart trofeun pas finales së Glasgow të fituar 2-1 ndaj Leverkusen e deri në sezonin e shkuar teksa Reali fitoi 1-0 ndeshjen e parë ndaj gjermanëve të Union Berlinit e më pas edhe trofeun e 15 në histori pas suksesit 2-0 në Wembley ndaj Dortmundit.
Në Madrid shpresojnë për një tjetër sukses të “Los Blancos”, aq më tepër që skuadra e Ancelottit është përforcuar edhe më shumë pas ardhjes së “yllit” francez, Kylian Mbappe. “AS” sjell në vëmendje këto numra që në futboll janë gjithmonë të rëndësishëm, pavarësisht se për shumëkënd mund të jenë vetëm supersticion. Për prestigjiozen “AS” ndeshja e parë për madrilenëy sjell gjithmonë fat. Të shohim nëse edhe këtë sezon të besuarit e Carlo Ancelottit do të jenë në gjendje të dominojnë futbollin evropian.