3 fitore në 3 ndeshjet e fundit, mbi të gjitha suksesi në Shkodër, rikthyen fuqishëm Egnatian në krye, mbi të gjitha i rikthyen statusin si favoriti kryesor për të triumfuar këtë sezon. Ekipi i Tetovës është perfekt në këtë periudhë pasi në 3 ndeshjet e fundit kanë shënuar 7 gola, 11 nëse përfshijmë edhe sfidën e Kupë kundër Kastriotit, për më tepër nuk kanë pësuar asnjë gol në katër ndeshjet e fundit.

FSHF shkoi edhe më larg, ku në statistikat e publikuara, Egnatia është ekipi që ka grumbulluar më shumë pikë në 9 ndeshjet e fundit, plot 19 pikë, e ndjekur nga Dinamo dhe Vllaznia. Pavarësisht shifrave dhe ecurisë, Tetova kërkon vazhdimësi, duke nisur që nga sfida e radhës, teksa presin Bylis. Në vigjilje të këtij takimi, Tetova sqaroi se merkato mund të konsiderohet e mbyllur pasi në Rrogozhinë kanë ardhur 4 lojtarë dhe janë larguar 3.

“Gjendja e skuadrës paraqitet e mirë përveç Fernandos dhe Malotës, grupi është i plotë. Në futboll mendoj që e gjithë skuadra mbron dhe sulmon, të paktën ashtu siç e shikoj unë. Mbrojtja i ka realizuar shumë mirë detyrat dhe ka meritat e veta. Mendoj që Fernando është një vlerë e shtuar, ka bërë mirë ato dy vite që ka qenë, nuk kemi specifika për lojtarë të veçantë, forca e grupit është Egnatia.

Mendojmë që të bëjmë më të mirën ndeshje pas ndeshjes, përballemi me Bylisin, do të jetë ndeshje e vështirë dhe për të ruajtur kreun duhet vazhdimësi. Nuk ka perfekt në futboll, por detyra, duhet të bëjmë mirë, të nxjerrim gabimet pas çdo ndeshje. Prurje nuk ka më, kemi 4 prurje në këtë merkato dhe 3 dalje.

E kemi konfiguruar grupin për të qenë sa më konkurrentë me skuadrat e tjera. Bylisi ka bërë një grupim ndeshjesh të mira, mendoj që do të jetë e vështirë dhe duhet përqëndrim maksimal për nesër. Përderisa ne katër ekipet kemi krijuar shkëputje, por mund të ketë surpriza, pas përfundimit të fazës së tretë do të vendosim pikat mbi “i”,- tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb