Numri një i stolit të Dinamos, Ilir Daja tregoi këndvështrimin e tij para ndeshjes ndaj Skënderbeut në kampionat.
“Pauza na ka bërë mirë, sepse kemi punuar për kondicionin fizik dhe për të minimizuar gabimet në aspektin tekniko-taktik. Për rikuperimet nuk na ka bërë mirë, sepse asnjë nga të dëmtuarit nuk është gati. Mungojnë dy lojtarë të vlefshëm për ne si Bregu dhe Aliji. Ky i dyti kishte kapur një formë shumë të mirë, pavarësisht se nuk luante në rolin e tij. Edhe Bregut i erdhi dëmtimi në momentin që kishte kapur një formë të mirë”.
“Me Skënderbeun është e vështirë, pasi përtej pikëve që ka, lojërat i ka pasur të mira. Nuk shkojmë në Korçë, duke parë gjendjen e Skënderbeut në renditje, por për të luftuar. Është një ambient që të krijon kushte të mira për futboll, shpresojmë që temperaturat e ulëta të mos ndikojnë në cilësinë e lojës”.
“Dinamo do të luajë ballazi. Nëse do ta nënvlerësonim Skënderbeun, do të bënim një gabim të madh, sepse diferencat në futbollin shqiptar nuk janë të mëdha”.
“Statistikat janë bërë për t’u interpretuar, dy ekipet do të luftojnë për fitore, pasi as ne dhe besoj as Korçës nuk na intereson barazimi. Ekipi më i kujdesshëm do të fitojë. Ata kanë sulm të shpejtë dhe të vënë në vështirësi, por ne jemi përgatitur me grupin që kemi. Gjithë ekipet ndodhen në këtë situatë dhe nuk justifikohemi me mungesat. Ata që do të luajnë, do të japin maksimumin.
“Lojtarët e stolit? Ka gjithmonë një fillim dhe kjo mbetet në nivel paragjykimi. Tjetër është stërvitja dhe tjetër loja. Për çdo lojtar që aktivizojmë do të thotë se kemi besim tek ai. E rëndësishme është të shfaqin gjërat që kanë bërë në stërvitje dhe besoj se kështu mund të fitohet vendi në 11-shen titullarë”.
“Ndoshta presioni është pak më shumë në anën e Skënderbeut. E njoh fushën dhe tifozët e tij, që përveç rezultatit, duan edhe lojë. Mund të jetë në thonjëza një presion që mund ta kenë ata, por çdo javë e Superiores ka presion dhe nëse nuk di ta menaxhosh këtë lloj presioni, atëherë nuk je për t’u përballur në këto nivele”.
(J.S/BalkanWeb)