TIRANE – Në Federatën Shqiptare të Futbollit u zhvillua sot paradite një mbledhje me karakter informues në lidhje me organizmin e ndeshjes Shqipëri – Serbi, që do të zhvillohet më datë 8 tetor, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Sipas njoftimit zyrtar të FSHF-së, në takim morën pjesë përfaqësuesi i sigurisë së UEFA-s Keny Scott, ambasadori i Republikës Serbe në Tiranë Miroljub Zariç dhe përfaqësues të Federatës Serbe të Futbollit, Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Altin Qato, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Plarent Ndreca dhe përfaqësues të organizmave që kanë lidhje me zhvillimin e ndeshjes.

Në qendër të vëmendjes, së këtij takimi, ishin masat që do të merren në mënyrë që gjithçka në këtë ndeshje të shkojë sa më mire.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, që ishte edhe mikpritësi i takimit, pas përfundimit të tij, deklaroi se “ishte një takim informues, në vazhdën e konsultave dhe takimeve që kemi zhvilluar gjatë gjithë kësaj periudhe, për organizimin sa më të mirë të kësaj ndeshjeje. Të gjithë të pranishmit, informuan në lidhje me masat që duhet të marrin në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë”.

Pas përfundimit të takimit, përfaqësuesi i sigurisë së UEFA-s, të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të Policisë së Shtetit, u nisën për në Elbasan ku inspektuan stadiumin “Elbasan Arena”.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb