ELBASAN- Një ditë para ndeshjes së parë të playoff të Champions League ku Skënderbeu do të përballet me ekipin Dinamo të Zagrebit, trajneri i ekipit shqiptar Mirel Josa ka dalë në një konferencë shtypi në Elbasan Arena. Ai ka deklaruar se ekipi kundërshtar ka bërë histori në futbollin kroat dhe se Skënderbeu do luajë për fitore.

“Skënderbeu ka 5 vite që ka një ecuri të mirë. Duhet të jemi koherent me realitetin. Përballë kemi Dinamon e Zagrebit që ka bërë histori në futbollin kroat. Në këto pozita kemi ardhur me meritë dhe me këmbët tona. Nuk duhet te merremi me çfarë kemi arritur por se çfarë do bëjmë. Dinamo e Zagrebit është një skuadër në rritje. Nuk jemi të privilegjuar nga shorti por mendojmë se do luajmë lirshëm. Dinamo është një skuadër cinike dhe mjaft e rrezikshme. Do luajmë për fitore. Normalisht duhet të bëjmë kujdes të mos pësojmë dhe të shfrytëzojmë çdo mundësi për të shënuar. Rezultati do tregojë forcën e Skënderbeut”, është shprehur Josa.

Tekniku ka siguruar se skuadra e tij do të bëjë maksimumin dhe se nuk ka vetëkënaqësi. “Skuadra ime nuk ka vetëkënaqësi. Vërtet kemi arritur një objektiv. Vështirësitë sa vijnë e rriten. Mendoj se nesër do ta bëjmë diferencën në momente të veçanta. Deri tani nuk kemi qenë perfektë por do japin maksimumin. Dinamo ka lojtarë cilësorë nga mesi e përpara. Kanë sulmues e mesfushorë cilësor”, ka thënë Josa.

Ndërkohë që kapiteni i Skënderbeut Blendi Shkëmbi tha se skuadra duhet të jetë perfekte ndaj kundërshtarëve që të arrijë kualifikimin.

“Skuadra nuk do kalojë në vetëkënaqësi por do luftojë për të arritur një rezultat pozitiv. Jemi të kënaqur me atë çfarë kemi arritur deri tani. Duhet të jemi perfekt ndaj Dinamos sëe Zagrebit që të arrijmë kualifikimin”, ka thënë Shkëmbi.

TRAJNERI I DINAMO ZAGREB: PARASHIKOJ NDESHJE TË VËSHTIRË, DO KËRKOJMË FITOREN
Nga ana tjetër trajneri i ekipit kroat, në konferencën për shtyp ka thënë se parashikon një ndeshje shumë të vështirë. Tekniku i Dinamos së Zagrebit ka thënë se e kanë ndjekur lojën e Skënderbeut dhe kanë marrë informacion por besojnë dhe do kërkojnë fitoren.

“Më vjen mire që jemi në grup me Skënderbeun. Parashikoj një ndeshje shumë të vështirë. Besojmë te fuqia e Dinamos së Zagrebit. E njohim shumë Skënderbeun. E kemi ndjekur edhe në ndeshjen e Superkupës, kemi parë kasetat dhe na kanë dhënë informacion edhe miqtë tanë. Ne besojmë dhe do kërkojmë fitoren. Ne jemi ekip me shumë kualitete”, ka thënë trajneri kroat, duke shtuar se ekipi i Skënderbeut ka futbollistë mjaft të shquar si Salihi, Berisha, Shkëmbi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb