Në Wembley, në shtëpinë e futbollit, Anglia zbret pa diskutim me stofin e një ekipi favorit, ky është një fakt, por fakt është gjithashtu se presioni është mbi “Tre Luanët”. Ndaj Shqipërisë 3 pikët janë detyrim, por aq kaq mund të mos mjaftojë, në një kohë kur Tuchel është përpara një testi të fortë, tekniku gjerman duhet të ndryshojë mentalitetin e një përfaqësuese që në sytë e të gjithë botës shihet si favorit në çdo turne, fakt që e pranoi edhe Tuchel në konferencë për shtyp:
“Kam ndjerë presion në këmbët e lojtarëve. Në Evropian dukej sikur luanin më shumë për të mos humbur, jo për të sjellë diçka speciale, duhet ta ndryshojmë këtë, duhet të luajmë me uri dhe emocion, të kemi dëshirë për të fituar.
Në premierën e tij kundër Shqipërisë, Tuchel e pranoi se ndihet pak nervoz, ndërsa foli me respekt për kuqezinjtë:
“Është e mrekullueshme që ndaj Shqipërisë do të luajmë me stadiumin plot, është shumë emocionuese. Jam pak nervoz, por kjo është pjesë e emocioneve. Tani është koha të hedhim hapa përpara, por duhet të kemi respekt për Shqipërinë, për kualitetin dhe futbollin që tregojnë”
Me padurim e pret edhe Harry Kane këtë takim, për kapitenin sfida ndaj Shqipërisë është një shans i artë për t’u rikthyer në formën e tij optimale edhe në përfaqësuese:
“Duhet të krijojmë shumë raste, kemi lojtarë në formë. Do të jetë në dorën tonë për të ndezur turmën në Wembley. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por mendoj se të gjithë janë të emocionuar për të zbritur në fushë dhe për të treguar veten”.
(BalkanWeb)