Federata Shqiptare e Futbollit do të mirëpresë këtë muaj një tjetër turne të rëndësishëm europian. Pas organizimit të ndeshjeve të raundeve të para të kualifikueseve të Europianit 2025 për moshat U-17 djem e vajza, tashmë FSHF do të organizojë edhe sfidat e raundit të parë të Euro 2025 për moshën U-19 për djem.
Kuqezinjtë e Julian Ahmatajt janë në kërkim të suksesit të madh, teksa synojnë kualifikimin në Elite Round. Shorti i ka shortuar në grupin 11, së bashku me Izraelin, Danimarkën e Izraelin. Një grup i vështirë, por jo i pamundur për kuqezinjtë e vegjël. Ndeshjet do të luhen në datat 13, 16 dhe 19 nëntor në aksin Elbasan – Tiranë – Durrës. Shqipëria do t’i luajë të gjitha ndeshjet e saj në stadiumin “Elbasan Arena”, ndërsa miqtë do të luajnë në stadiumet “Niko Dovana” dhe në “Shtëpinë e Futbollit”.
Kombëtarja e drejtuar nga Ahmataj zbret në fushë me 13 nëntor, teksa luan sfidën e parë ndaj Izraelit në ora 14:00. Në të njëjtën ditë, Irlanda e Veriut luan ndaj Danimarkës në stadiumin “Niko Dovana” në ora 12:00.
Tre ditë më vonë do të luhen ndeshjet e dyta të këtij raundi. Shqipëria përballet me Danimarkën në ora 14:00 ndërsa Izraeli luan me Irlandën e Veriut në ora 12:00 në “Niko Dovana”.
Ndeshjet e treta dhe të fundit të këtij raundi do të luhen në të njëjtën orë, 15:00. Shqipëria luan sfidën e fundit ndaj Irlandës së Veriut në “Elbasan Arena” ndërsa Danimarka mat forcat me Izraelin në “Shtëpinë e Futbollit”.
Raundi i parë i kualifikueseve të Europianit 2025 për moshën U-19
Irlandë e Veriut – Danimarkë, 13 nëntor, ora 12:00, “Niko Dovana”
Izrael – Shqipëri, 13 nëntor, ora 14:00, “Elbasan Arena”
Izrael – Irlandë e Veriut, 16 nëntor, ora 12:00, “Niko Dovana”
Danimarkë – Shqipëri, 16 nëntor, ora 14:00, “Elbasan Arena”
Shqipëri– Irlandë e Veriut, 19 nëntor, ora 15:00, “Elbasan Arena”
Danimarkë– Izrael, 19 nëntor, ora 15:00, “Shtëpia e Futbollit”