Pas një periudhë jashtë fushe për shkak dëmtimi, Medon Berisha ka filluar të marrë minuta me Leccen, teksa është aktivizuar në 3 ndeshjet e fundit, madje ka dhuruar edhe një asist me telekomandë në takimin ndaj Monzas. Berisha, ka dhënë një intervistë në episodin e “Piazza Giallorossa” në “Telerama”, ku nuk ka hezituar të japë mendimin e tij për shumë çështje. Mesfushori kuqezi flet për skuadrën, trajnerin, mënyrën e lojës dhe raportet që ka me shokët e ekipit.
INTERVISTA:
Për gjendjen fizike – “Ndihem shumë mirë, fizikisht e kam marrë veten tani. Kam luajtur pak minuta ndaj Romës, Monza, tani edhe ndaj Lazios, jam mirë”.
Për ndeshjen kundër Lazios – Bëmë një paraqitje të mirë, duhet ta them. Urime djemve! Bëmë shumë shumë mirë në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ishim të bashkuar, një skuadër e vërtetë. Edhe kur ishim me 10 lojtarë mund të barazonim ose fitonim”.
Çfarë ka ndryshuar me trajnerin Giampaolo – “Do të thosha që trajneri na ka dhënë shumë besim dhe gjithashtu qetësi. Giampaolo pëlqen të luajë futboll sulmues, ndoshta kjo na kishte munguar pak. Kemi filluar të luajmë sipas filozofisë së tij. Të gjithë duan topin, lëvizim më shumë në fushë. Në pjesën e parë e mbajtëm shumë topin kundër Lazios, që është një ekip i madh. Ndoshta kjo na kishte munguar pak, ndoshta e kemi zgjidhur me të”.
Si ndihet me trajnerin e ri – “Me të jam shumë i lirë. Më ka dhënë liri në fushë, mund t’i përdor cilësitë e mia. Ai më ka folur para se të kthehesha nga dëmtimi dhe më tha se beson tek unë. Trajneri i ri po më jep shumë besim”.
Çfarë iu tha Giampaolo pas ndeshjes – “Ishte pak i emocionuar. Na ka folur dhe tha: Jam krenar për ju, sepse keni dhënë gjithçka. Sot keni bërë një performancë të bukur, si një skuadër e vërtetë”.
A kanë besim shokët tek ai – “Po, por gjithashtu kërkoj topin. E dua gjithmonë topin dhe nuk fshihem, ndoshta ndikon edhe kjo”.
Për ndërtimin e lojës – “Po, ne stërvitemi për këtë gjë. Trajneri më thotë gjithmonë të mos e hedh topin pa adresë. Përpiqemi gjithmonë të luajmë sikurse do trajneri, edhe në stërvitje. Giampaolo thotë se do futbollistë që luajnë me topin”.
Çfarë ka ndryshuar Giampaolo – “Ai na jep shumë qetësi. Përdor gjithmonë strategjinë për të bërë grupin, skuadrën e bashkuar. Sipas meje, ka sjellë besimin që na kishte munguar”.
Rëndësia e babait në karrierën e tij – “Babai më ka ndjekur gjithmonë. Ka qenë gjithmonë pas meje. Kur ishte i ri, edhe babai luante futboll. Ishte më shumë mesfushor-sulmues, edhe ai mjaft i fortë”.
Cili trajner i ka lënë më shumë shenjë – “Me Baroni kam bërë grumbullimin e parë, ai më ka shtyrë të luaj si mesfushor i qendrës. Edhe trajneri D’Aversa më ka bërë të luaj mesfushor i qendrës, gjithashtu Giampaolo, por nuk e di cili ka ndikuar më shumë tek unë. Nuk e dija që trajneri D’Aversa donte të më merrte tek Empoli.
Në fund të ndeshjes kam folur me trajnerin Baroni dhe më tha: Bravo, po bën një rrugëtim të mirë, mos na harro, shpresoj të takohemi shpejt”.
Për konkurrencën me Ramadani – “Nuk është vetëm me Ramadani, konkurrencën e kam me të gjithë. Kjo është normale në futboll. Në stërvitje duhet të japësh gjithçka për të luajtur pastaj në ndeshjet zyrtare”.
Ndjesitë për ndeshjen kundër Comos – “Kam ndjesi të mira. Kemi dy ditë pushim dhe tani jemi me familjet. Shpresojmë të marrim energji pozitive dhe të relaksohemi pak mendërisht. Pastaj, kur të kthehemi më 26 dhejtor, duhet të japim gjithçka. Kemi ndjesi të mira pas ndeshjes me Lazion”.
Mbi numrin që mban në fanellë te Lecce – “E mbaj numrin 10 sepse më ka pëlqyer shumë stili i lojës së Zidane, edhe pse më frymëzon më tepër Modriç”.
(J.S/BalkanWeb)