Nga: ARMIR MEHAJ*
PUKE – Mbyllet suksesshëm operacioni i ndihmës ndaj familjes së Behar Hasani, invalidit i cili pak kohë më parë lëshoi apelin për ndihmë në “News24” dhe “BalkanWeb”, pasi ndërprerja e kempit rrezikonte seriozisht familjen 4 anëtarëshe.

I pari që mbërriti në familjen e Behar Hasanit ishte vetë kreu i Bashkisë së Pukës, i cili krahas ndihmave materiale u angazhua në përfshirjen e kësaj familje në skemën e ndihmës ekonomike.

Krahas kësaj ndihme, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Myftinisë së Pukës, ku vetë myftiu Gëzim Kopani ishte në këtë familje duke dërguar ndihma ushqimore dhe veshmbathje, pa anashkaluar dhe apelin që shteti duhet të bëjë më shumë ndaj këtyre familjeve.

Sensibilizim i madh duket se ka qenë dhe tek besimtarët mysliman të Tiranës të cilët kanë reaguar menjëherë duke siguruar ushqime, veshmbathje dhe lodra për fëmijët teksa kësaj familje ju dorëzuan dhe një sasi e konsiderueshme të hollash.

Kanë qenë të shumtë qytetarët të cilët ndihmuan në heshtje familjen Hasani në Pukë, ndërsa këtij reagimi qytetar ju bashkua dhe organizata “Stop Krimit”, si dhe qytetarët Gëzim Gjoka në SHBA, Bardhok Ceca si dhe gazetari Bledian Koka, ndërkohë që mjeku Edi Smajlaj ka ofruar ndihmën mjekësore, nëse invalidi ka nevojë.

Falë gjithë këtyre kontributeve në familjen Hasani, sot gjenden mbi 1000 kilogramë ushqime, detergjent, veshmbathje, lodra për fëmijët si dhe pajisje të nevojshme, teksa kontributet financiar bënë të mundur rikthimin e energjisë në familjen Hasanit në fshatin Dedaj të Pukës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: