Shërbimet e Policisë së Dibrës, pas një denoncimi urgjent, kanë parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale brenda një familjeje në fshatin Lishan.

Policia ka arrestuar një 38-vjeçar, i cili kishte dhunuar dhe kërcënuar bashkëshorten e tij me jetën, duke mbajtur gjithashtu armë dhe municion të paligjshëm në banesë.

Denoncimi erdhi nga bashkëshortja e tij, një 38-vjeçare, e cila informoi autoritetet se bashkëshorti i saj po e dhunonte dhe kërcënonte për ta vrarë. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, morën veprime të shpejta dhe arritën të lokalizojnë dhe të arrestonin E. M., 38 vjeç, banues në fshatin Lishan.

Gjatë kontrollit të banesës së tij, policia gjeti një pistoletë, tre granata dore të montuara me kapsolla ndezëse, një krehër pistolete dhe një sasi të konsiderueshme municioni luftarak, të cilat u sekuestruan si prova materiale.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër ka hapur hetimet për akuzat e “Dhunës në familje”, “Kanosjes”, dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimi të armëve dhe municionit”.

Njoftimi i policisë:

Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë, menjëherë pas denoncimit të një shtetaseje, për dhunë dhe kanosje për jetën, nga bashkëshorti i saj, parandalon ngjarjen e mundshme kriminale në familje.

Vihet në pranga 38-vjeçari që dhunoi dhe kanosi për jetën bashkëshorten e tij, si dhe posedonte në banesë, armë zjarri pistoletë, granata dore dhe municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas njoftimit nga një 38-vjeçare se në banesë, në fshatin Lishan, njësia administrative Luzni, bashkëshorti i saj po e dhunonte dhe po e kërcënonte për ta vrarë, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë.

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale të shërbimeve të Policisë u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. M., 38 vjeç, banues në fshatin Lishan.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri pistoletë, 3 granata dore të montuara me kapsolla ndezëse, 1 krehër pistolete dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja” dhe “Mbajta pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb