Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje të reja mbi aksionin kundër informalitetit, që ka nisur prej fillimit të këtij muaji.

Rama është shprehur gjatë bashkëbisedimit me gazetarët se së shpejti do të instalohet sistemi i ri online, sipas të cilit, do të ketë më pak ushtarë që do ta tradhtojnë.

Sipas tij, po punohet për dixhitalimin e inspektimit, që do të regjistrojë çdo lëvizje të inspektorëve.

“Ndjehem i tradhtuar, sepse nuk është ushtria ime. Ne kemi një grup batalionesh e divizionesh, që janë aty. Lufta e informalitetit është proces më i gjatë sa do donim të ishte, nuk është thjesht çështje ushtrie, por çështje sistemi. Ne po përgatisim një sistem ultra modern të quajtur sistemi i fiskalizimit, ku do të fusim të gjitha bizneset në monitor online 24 orë të çdo transaksioni. Sot transaksioni jepet vetëm në një moment të ditës, sistem shumë abuziv.

Do kemi sistem online. Bazuar në analizat e riskut, vetëm sistemi të jepë sinjale se te ky biznes diçka nuk shkon. Në janar të vitit që vjen, ky sistem do futet në fazën e parë, që është faza “biznesi dhe klienti”. Po punojmë për dixhitalizim të inspektimit. Në një kohë të arsyeshme, inspektorët do të jenë të dixhitalizuar në raport me qendrën, pra do të dihet çdo lëvizje e tyre, çdo gjë. Duke forcuar sistemin, do kemi më pak ushtarë që na tradhtojnë”, ka thënë Rama.

Më tej, kreu i qeverisë është pyetur dhe për telefonatën sekrete me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për të cilën tha se nuk mund ta ndajë me publikun.

“Nuk i ndaj bisedat që nuk janë formale dhe të dakordësuara për t’u ndarë me publikun. Me Macron kam marrëdhënie më të afërt se me shumë të tjerë, kemi komunikim të vazhdueshëm. Ka kërkuar të flasë me mua rreth 1 orë, sa u detyrova të shkoj me vonesë në Asamble. Kemi folur për Evropën dhe rajonin, kaq”, ka deklaruar kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb