TIRANE – Deputeti i PDK- së, Eduard Ndocaj, nuk figuron në listën e donatorëve të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 2013-s. Ndocaj në zgjedhjet e përgjithshme ishte i gjashti në listën e Partisë Socialiste, por ai nuk rezultoi fitues. Ai deklaroi dy ditë më parë se ka sponsorizuar fushatën e PS-së në zgjedhjet e 21 qershorit me një vlerë prej rreth 500 mijë eurosh.

“Paratë e shpenzuara në fushatë i kalojnë gjysmë miliardi lekë. Nuk kisha shpresa për t’u zgjedhur se isha i gjashti në listë”, tha Ndocaj. “Panorama” shkruan sot se në raportin zyrtar të depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga Partia Socialiste, emri i Ndocajt nuk figuron.

Madje, në raportin e selisë rozë të firmosur nga kryefinancieri Genti Gazheli, aktualisht Drejtor i Përgjithshëm i Parandalimit të Pastrimit të Parave, thuhet se donatorët kanë respektuar detyrimin ligjor që një person të mos dhurojë më shumë se 1 milion lekë të rinj. Por deklarata e Ndocajt zbulon hijet e një skandali se ku ka përfunduar një shumë kaq e madhe parash.

DONATORËT
Zyrtarisht në listën e socialistëve janë publikuar emrat e dy dhuruesve, Florian Alija dhe Ejona Isufaj, që në shkurt të vitit 2013 kanë depozituar në llogaritë bankare të PS- së të dy nga 500.000 lekë. “Data e dhurimit. Llogaria ku janë derdhur paratë:
1. Florian Alija 500.000. Shkurt 2013. CREDINSI llog. 112879 2.
2. Ejona Isufaj 500.000. Shkurt 2013. CREDINSI llog. 112879.
Shuma gjithsej 1.000.000”, thuhet në raportin e KQZ-së.

Në raport theksohet se janë depozituar në KQZ dhe një listë me donatorë që kanë kërkuar të mbeten anonimë, por burime pranë administratës zgjedhore bëjnë të ditur se deputeti Eduard Ndocaj nuk figuron në listën e dhuruesve. Në raportin zyrtar nga Partia Socialiste thuhet se asnjë nga donatorët s’ka dhënë më shumë se 1 milion lekë, ndërkohë që s’ka pasur sponsorizime nga persona juridikë apo të huaj.

“Të gjithë dhuruesit kanë nënshkruar deklaratën e mospasjes konflikt interesi në përputhje me nenin 89, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 të ‘Kodit zgjedhor të Republikës së Shqipërisë’. Në të gjitha rastet dhuruesit kanë respektuar kërkesën ligjore, sipas së cilës dhurimi nuk mund të jetë më shumë se 1.000.000 lekë për çdo rast. Nuk kemi sponsorizime në para nga persona juridikë vendas apo të huaj”, thuhet në raportin zyrtar të KQZ-së.

PËRPLASJA E PARË
Në muajin mars të viti 2015, Eduard Ndocaj ka shpërthyer në akuza ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke e quajtur atë si “njeri të lig dhe bukëshkelur”. Ai ka publikuar faturat e hoteleve dhe darkave që ka paguar për Ramën në Itali. “Koha ikën, por faktet mbeten fakte.

Njeriu më i ligë për ne veriorët, pas atij që shkel amanetin, është bukëshkali, ai që i ha bukën dikujt dhe pastaj e pret në besë pas shpine. Kjo mund të thuhet për Ramën dhe drejtuesit kryesorë të PS-së.

Në këto foto janë edhe njerëzit që i rrinin mbrapa në atë kohë Ramës, ai i quante stafi i tij, por shumica prej tyre nuk kishin as lekë për bileta. Kjo drekë e ofruar nga unë (vëllezërit Ndocaj), ka kushtuar 8 mijë euro. Ky është vetëm ajsbergu i kontributit tim për PS-në e Ramën, të cilën dolën bukëshkelës”, theksoi Ndocaj.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: