Një 70-vjeçare nga Gedney Hill, Angli, gjithmonë pyeste veten se çfarë ndodhi me një aplikim për një punë si kaskadore që ajo dërgoi në janar 1976, shkruan today.it.
Tizi Hodson atëherë në fillim të të 20-tave, shpresonte me gjithë zemër të merrte atë pozicion, vetëm se u zhgënjye nga mungesa e përgjigjes së kompanisë.
Në realitet, kërkesa e saj nuk ishte refuzuar, por thjesht nuk kishte arritur kurrë në destinacion.
Letra në fakt kishte mbetur e fshehur për dekada, pas një sirtari në zyrën postare në Staines, Londër, dhe u gjet vetëm pas gati gjysmë shekulli.
Kështu, me 48 vite vonesë, Tizi mori një përgjigje për kërkesën e saj.
Në kutinë e letrës origjinale, e shkruar prej saj në ’76, u gjet shënimi i shkruar me dorë: “Dorëzimi me vonesë nga Staines Post Office”.
“Nuk mund t’u besoja syve. Më në fund e mësova se pse nuk më ishin përgjigjur”, theksoi ajo.
“Kam pasur një jetë të mrekullueshme. Shkova në Afrikë ku punova si zbutëse gjarpërinjsh dhe kuajsh, më pas u bëra pilote aeronautike dhe instruktore fluturimi”, shton ajo.
Por, për një mister të zbuluar, ka një tjetër që shfaqet: nuk është e qartë se kush ia ktheu letrën gruas dhe mbi të gjitha se si arriti të gjente adresën e gruas, e cila vitet e fundit ka jetuar në vende të ndryshme duke ndryshuar dhjetëra herë vendbanimin.
“Doja shumë të bëhesha një kaskadore dhe isha shumë e zhgënjyer që nuk mora përgjigje, por tani e kuptoj motivin”, thekson ajo.