Sekretari Organizativ i PL, Artemis Peca ndodhej në automjet me Ilir Metën kur ky i fundit u arrestua nga agjentët e BKH ditën e sotme, në hyrje të kryeqytetit, teksa po kthehej nga Kosova. Presidenti i PL u shoqërua forcërisht me urdhër të SPAK që ka ngritur ndaj tij tre akuza atë të pastrimit të parave, korrupsion dhe mosdeklarim të pasurisë.

Peca tregoi se ish-Presidenti i Republikës nuk bëri rezistencë, por u kërkoi mandatin e arrestit agjentëve që kishin rrethuar automjetin e ish-kreut të shtetit.

Megjithatë, sipas tij, ata u nxorën me forcë nga automjeti ku ndodheshin.

“Zoti Meta nuk ishte me njeri tjetër dhe as eskortë. Ilir Meta nuk është frikacak. Nuk pati rezistencë. U tregua i sjellshëm. U kërkoi mandatin dhe ata në asnjë moment nuk e dëgjonin. Vetëm tërhiqnin me forcë. Më pyetën kush jeni ju. U thashë na tregoni kush jeni. Ne nuk treguan asnjë lloj rezistence”, tha Peca.

I pyetur se pse Meta nuk kishte truproja me vete ose Gardën, ai u përgjigj duke thënë “sepse Meta nuk ka kryer asnjë krimin dhe nuk ka patur frikën”. “Garda nuk ka qenë sepse nuk ka patur dijeni ku ka qenë ish-presidenti i Republikës”.

Duke vijuar më tej, Peca tha në mënyrë të detajuar: “Na hapën dyert dhe na bënë presion “Hajdeni me ne”. Na terrorizuan, menduam se na bënë një akt pengmarrje. Kur pashë policinë e kuptuam se ishin nga Dumani dhe Rama. Nuk kishin asnjë vendim”.

Ai rrëfen edhe momentin e dërgimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. “Na shoqëruan në komisariat. Në momentin që shkuam në komisariat ata nuk bënin asnjë veprim se prisnin urdhër nga Rama. Vinin vërdallë dhe nuk dinin çfarë bënin. Ishte një akt tallës. Janë kriminelë”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb