SARANDE- Deputeti i ri i Partisë Socialiste për Sarandën, Alket Hyseni ka reaguar lidhur ngjarjen e paprecedentë të ndodhur në Ksamil, ku ujërat e zeza janë hedhur në bregdet.

Me anë të një status në faqen e tij të ‘Facebook’-ut Hyseni i ka bërë thirrje organeve ligjzbatuese që të identifikohen autorët e masakrës mjedisore.

Ndonëse nuk dihen ende përgjegjësit e ndotjes masive, ujërat e zeza kanë pushtuar bregdetin në plazhin “Gjiri Poda” tek “Tre ishujt” në këtë zonë.

REAGIMI I DEPUTETIT
Jam shumë i shqetësuar dhe i indinjuar nga situata skandaloze në Ksamil, si rezultat i shpërthimit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza.
Duke i bërë thirrje urgjente Bashkisë Sarandë dhe Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve që të stabilizojnë menjëherë situatën alarmante, kërkoj me forcë nga organet ligjzbatuese, që të fillojnë menjëherë procedimin penal, gjetjen e autorëve përgjegjës dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore, penale dhe civile, të shkaktarëve të kësaj gjendjeje, të cilët me cilësinë e dobët të punimeve, projektin e devijuar apo keqpërdorimin e fondeve, rezultojnë të përfshirë në këtë aferë ulëritëse, me pasoja të rënda për shumë biznese të zonës, për qytetarët, si dhe për dëmtimin e imazhit turistik të Kasmilit dhe gjithë Shqipërisë.
Nga ana tjetër siguroj çdo të dëmtuar nga kjo situatë, që do të jem në ballë të përpjekjeve për rikuperimin e pasojave dhe dëmshpërblimin e tyre.
Keqardhje dhe ndjesë për çdo pushues që përjeton këtë situatë në kulmin e sezonit turistik në plazhet më të bukura të rivierës sonë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb