ELBASAN – Me gjithë masat shtrënguese të marra ndaj kompanisë turke “Kurum” pas konstatimeve të bëra për ndotjen e madhe që i shkakton mjedisit, ajo sërish rezulton të jetë problematike. Ky gjigant i industrisë, përkundër vendimit të marrë nga Ministria e Mjedisit për pezullimin e aktivitetit, vijon të punojë me kapacitet të plotë në të gjitha uzinat, duke nisur nga përpunimi i skrapit, shkrirja dhe fabrika e gëlqeres gjatë natës.

Banorët e zonës së Bradasheshit dje pohuan se kompania “Kurum” shfrytëzon orët e natës për të punuar, duke shkaktuar ndotje tejet të madhe me tym dhe blozë në ajër, pasi nuk vë në punë sistemin e pluhurkapjes.

Aktiviteti i kompanisë së përpunimit të hekurit dhe çelikut është pezulluar deri më 20 maj, kohë në të cilën “Kurum” duhet të përmbushë edhe kriteret e paracaktuara për të kryer aktivitet pa ndotur mjedisin. Sipas vendimit të ministrisë, kompania duhet të paraqesë regjistrin e mbetjeve që gjenerohen nga aktiviteti dhe të bëjë klasifikimin e tyre dhe trajtimin fundor. Gjithashtu, kompania turke duhet të japë një kopje të kontratave me nënkontraktorët, si dhe kartën teknologjike lidhur me kapacitetet, si dhe të përgatisë raportin e monitorimit të aktivitetit për tremujorin e parë të vitit 2015.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb