TIRANE-Deputeti socialist, Pjerin Ndreu mendon se qeveria po punon mirë dhe nuk është momenti për ndryshime. “Nuk di se çfarë flitet, por di se qeveria po punon mirë dhe s’ka asnjë arsye të ndryshohet. Të gjithë kanë një program dhe objektiva, të cilat nuk maten me 2 vjet. Më habisin ca ‘dijetarë’ që për dy vjet i kërkojnë qeverisë gjëra që nuk i ka bërë qeveria që kaloi për 8 vjet. Po ne nuk jemi robotë të programuar”, – tha dje Ndreu.

Sipas tij, “gjërat nuk janë të lehta e qeveria nuk është se i ka të gjitha në dorë. Duhet një ndërgjegjësim kombëtar për vështirësitë që të gjithë të kontribuojnë për çfarë duhet bërë për të përmirësuar situatën dhe jo vetëm për të konstatuar”.

Ndreu u shpreh se “qeveria nuk është me qeveri parcelash partiake ku përfiton njëra palë dhe zhytet tjetra në mjerim. Ne nuk kemi qasje politike në administratë dhe kjo është evidente. Pakënaqësia vjen për shkak të vendeve të punës. Por dhe të mbarosh arsimin te ‘Vitrinat’ e të kërkosh post drejtori, kjo nuk është e moralshme. Ja që ka plot që nuk kuptojnë se tesera e partisë nuk është diplomë për drejtues. Pra, është ogur i mirë se ne po qeverisim për të gjithë shqiptarët pa dallim”, u shpreh Ndreu. Ai parashikon fitore bindëse në zgjedhjet vendore. “Alternativa përballë nesh është e vjetruar dhe pa ide. E vetmja qasje e tyre është shpifja për këdo që i del para e që nuk është me ta. Janë në mjerim të plotë”, tha ai. Ndreu nuk pranoi të komentojë deklaratat dhe akuzat e kolegut të tij, Tom Doshi, duke i cilësuar thjeshtë “mendime të tij”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: