Mbrëmjet në plazhin e Golemit, do të jenë tani më të bukura dhe të gjalla, kur dritat e shëtitores të ndizen për të shoqëruar pushuesit në ecejaket e tyre pranë detit Adriatik.
3.5 km shëtitore, është ndriçuar në dy anët e saj me një sistem ndriçues bashkëkohor, investim i qeverisë shqiptare dhe Fondit të zhvillimit nën kujdesin e Bashkisë së Kavajës, i zbatuar nga kompania “Fusha shpk”.

Ky projekt përfshin instalimin e rreth 260 shtyllave me ndriçues të teknologjisë se lartë led. Kryetari i Bashkisë së Kavajës Redjan Krali, vlerësoi se investimi do t’i japë një tjetër dimension zhvillimit të zonës së Golemit.

“Kjo shëtitore do t’iu shërbejë të gjithë pushuesve për xhirot e tyre në mëngjes dhe në mbrëmje. Përfundimi i këtij projekti, nga ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës së plazhit, trotuarët në dy anë të saj e deri tek sistemi i ndriçimit sot tregon vëmendjen e qeverisë për të mbështetur dhe zhvilluar edhe më shumë këtë zonë bregdetare të rëndësishme në krijimin e një infrastrukture moderne për resortet, hotelet dhe pushuesit e tyre”, tha Kryetari i Bashkisë Kavajë Redjan Krali.

Investimet në turizëm nga sektori privat e kanë kthyer bregdetin e Kavajës në destinacionin e preferuar të pushuesve shqiptarë dhe të huaj. Shërbimi me standarde dhe paketat joshëse turistike ofruar nga resortet plot sharm, e bënë të domosdoshme ndërhyrjen me investime në infrastrukture për të qenë në lartësinë e shërbimit të sipërmarrësve privatë në këtë zonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb