Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka reaguar pas Kongresit të PS-së dhe ndryshimeve të lajmëruara në qeveri duke u shprehur se në këtë të fundit mbetet “e njëjta mendësi totalitare”.

Sipas tij ndryshimet e emrave dhe fytyrave ndodhin vetëm për “makijazh dhe interesa okulte dhe pa asnjë kriter performance apo llogaridhënie”.

Sakaq, ai u ndal te largimi i Taulant Ballës nga Ministria e Brendshme, duke thënë se ky i fundit së bashku me Çuçin përfunduan në “gijotinë politike” nga gjetjet e Komisionit Hetimor për TIMS.

Reagimi i plotë:

Asnjë ndryshim në qeveri! E njëjta mendësi totalitare, i njejti miksim i përzierjes së punëve të shtetit me partinë, duke çimentuar partinë-shtet! E njëjta metodologji përçmimi për interesin publik, duke ndryshuar emra dhe fytyra vetëm për makiazh dhe interesa okulte dhe asnjë kriter performance apo llogaridhënie!

I njëjti interes bën që gjetjet e Komisionit Hetimor për TIMS të zbresin shkarkojnë politikisht dy ish ministrat Balla dhe Çuçi,jo se u shkatërrua “TIMS” por menaxhimi i keq i vjedhjes dhe manipulimit të sistemit TIMS duket që nuk u kapërdi. Gjetjet e shkeljeve në emërime, manipulimi, ndërhyrja, aksesi i pautorizuar dhe paaftësia e ministrave për ti fshehur këto abuzime i çoi të dy në gijotinë politike!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb