“Uria”, “Festa”, “Zjarri” dhe “Akulli” janë pjesë e një dokumentari me katër pjesë mbi ndryshimin e klimës. Seriali u shfaq në AFI Docs, Festivali i Dokumentarëve i Institutit Amerikan të Filmit në Uashington. Dokumentari është realizuar duke përdorur teknologjinë e realitetit virtual që u jep shikuesve një pamje 360-gradësh të pasojave shkatërruese të ndryshimeve klimatike në planetin tonë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Penelope Poulou bisedoi me regjisorin Eric Strauss lidhur me ndikimin e teknologjisë së realitetit virtual në realizimin e filmave.

Në dokumentar shihen shkrirja e akullnajave dhe ngritja e nivelit të detit në Groenlandë, zjarret në Kaliforninë veriore, thatësirat e pamëshirshme në Somali dhe zhdukja e pyjeve në Amazonë. Seriali i filmuar me teknlogjinë e realitetit virtual i quajtur ICE, FIRE, FAMINE and FEAST (Akull, Zjarr, Uri dhe Festë) i regjisorëve Eric Strauss dhe Danfung Dennis i mbështjell shikuesit me realitetet më ekstreme të ndryshimeve klimatike në Tokë.

“Shpresojë që kur njerëzit ta shikojnë serialin ata do ta kuptojnë se nuk mund të fshihemi nga ky realitet. Kjo do të ndikojë tek të gjithë, pavarësisht se ku jetoni apo nivelin e të ardhurave që keni, ndryshimet klimatike do të ndikojnë tek të gjithë. Shpresojë se kjo do të përcjellë tek shikuesi mesazhin e urgjencës në mënyrë që të gjitha vendet t’i kushtojnë vëmendje dhe të fillojnë luftën kundër këtij fenomeni”, thotë regjisor Eric Strauss.

Në Uashington ku po shfaqet festivali, pjesëmarësit mund të shohin pamje 360-gradëshe të efektit të ndryshimeve klimatike përmes syzeve speciale për realitetin virtual.

“Disa njerëz kanë një reagim instinktiv fizik, kërcejnë nga gëzimi ose sepse janë shumë të habitur nga ajo që shohin. Ndërsa, të tjerë mendoj se janë shumë reflektues dhe madje mund të jenë të trishtuar, varësisht nga përmbajtja”, thotë Ken Jacobson, programues i teknologjisë së realiteti virtual në Institutin Amerikan të Filmit.

Pjesëmarrësi i festivalit, James Willard përshkruan se çfarë përjetoi kur pa episodin e dokumentarit që tregon shpyllëzimin në Amazonë për të krijuar hapësira të reja për industrinë e blegtorisë dhe mishit.

“Je plotësisht i pranishëm në atë realitet dhe histori, i sheh nga fare afër kafshët, shikon marshimin e tyre drejt vdekjes”, thotë James Willard, pjesëmarrës në festival.

Filmi nuk ka nevojë për dialog.
“Realiteti virtual mbështetet tek përjetimi. Shmanget një pjesë e mirë e informacionit dhe shikuesi e jeton atëqë po ndodh. Shikuesi në një farë mënyre është më shumë si protagonist në këto histori, veçanërisht nëse e krahasojmë këtë me përvojën e shikuesit në një kinema tradicionale”.

Një shikuese tjetër, Patricia, sapo ka parë episodin “Uria”, që tregon efektet e thatësirës ekstreme në Somali.

“Kjo e bën edhe më të fuqishme përvojën sepse të duket sikur je atje. Unë mendoj se është një medium i fuqishëm për të përcjellë mesazhin për tema kritike”.

“Ky është qëllimi. Të bëhemi mjet për ndryshime pozitive”, thotë regjisori Eric Strauss.
Me zhvillimin e teknologjisë realizimi dhe qasja tek filmat e teknologjisë së realitetit virtual po bëhet gjithnjë e më e lehtë dhe shpesh ato mund të shihen përmes aplikacioneve të telefonave inteligjentë. Por programuesi Ken Jacobson thotë se shikimi i tyre përmes syzeve të posaçme të realitetit virtual është ende mënyra më e mirë.

“Mendoj se do të vazhdojë të ketë avancime në teknologjinë e kufjeve dhe syzeve. Pra, shumë shpejt njerëzit nuk do të bezdisen aq shumë nga syzet dhe kufjet, të cilat do të vazhdojnë të përmirësohen”, shkruan VOA.

Por a mund t’i zëvendësojë realiteti virtual filmat tradicionalë dy apo tre dimensionalë?
“Unë mendoj se realiteti virtual do të shtojë një aspekt tjetër në mënyrën se si do të shohim filmat. Por nuk besoj se do të zëvendësojë mënyrën tradicionale. Realiteti virtual mund të jetë shumë i rrezikshëm sepse shikuesi është plotësisht të zhytur brenda historisë së filmit që po shikon. Disa njerëz, pasi të heqin syzet do të arrijnë të kthehen në realitetin normal. Por të tjerë mund të mos jenë në gjendje ta bëjnë këtë. Pra, unë nuk mendoj se realiteti virtual do të zëvendësojë plotësisht teknologjinë aktuale”, thotë James Willard, pjesëmarrës në festival.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb