BERLIN- Kina do vazhdojë angazhimin e saj sa i përket çështjes së ndryshimeve klimatike, ka bërë të ditur kryeministri kinez, teksa SHBA-ja duket se do tërhiqet nga një marrëveshje shumë e rëndësishme siç është ajo e Parisit, njofton agjencia e lajmeve BBC.

Teksa foli gjatë një vizite në Gjermani, kryeministri Li Keqiang u shpreh se është në interes të Kinës të luftojë ndaj ndryshimeve klimatike. Li tha se Kina pret që edhe vendet e tjera të ndjekin shembullin e saj.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pritet që këtë të enjte të marrë vendimin sa i përket marrëveshjes së Parisit. Sipas disa raportimeve në mediat amerikane thuhet se, Trump do të tërhiqet nga kjo marrëveshje.

“Kina do të vazhdojë të zbatojë premtimet e dhëna në marrëveshjen e Parisit. Por sigurisht shpresojmë që ta bëjmë këtë me bashkëpunimin e të tjerëve”, është shprehur Li. Ai shtoi se Kina ka përgjegjësi ndërkombëtare në përpjekjen për të ndaluar ndryshimet klimatike.

Liderët e Bashkimit Evropian dhe të Kinës pritet të miratojnë një deklaratë të përbashkët për marrëveshjen e Parisit. Deklarata vë në dukje rreziqet që paraqet temperatura në rritje duke ndikuar kështu në sigurinë kombëtare. Gjithashtu në dokument thuhet se tranzicioni në energji të pastër krijon vende pune dhe rritje ekonomike.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb