TIRANE- Reforma në drejtësi ishte një nga çështjet kryesore që diskutoi në një konferencë me gazetarët, ish kryeministri Sali Berisha.


Ai tha se vlerëson përpjekjet e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa hodhi poshtë zërat se Rama mund të blejë vota nga opozita për të siguruar 93 të tilla me qëllim, kalimin e ndryshimeve kushtetuese edhe pa opozitën. Berisha tha më tej se kjo e votave që do blejë, është një presion që i bën aleatit të tij në qeveri, duke iu referuar kryeparlamentarit Meta.

“Unë kam respekt për përpjekjen e ambasadorit për këtë reformë. Busull e saj janë parimet e Venecias, por në bisedën që unë kam pasur, të zgjeruar me të, ma dorëzoi vetë dokumentin. Konstatova se ambasadori nuk kishte asnjë vërejtje se ishte plotësisht dakord. Kam bindje se Edi Rama nuk do mund të garantojë asnjë votë nga opozita. Pavarësisht kundërshtive që mund të kenë, opozitarët nuk janë kriminelë që shiten e blihen, nuk i përkasin merkatos së krimit janë njërëz të përgjegjshëm dhe me integritet. Ai përhap një presion që i bën aleatit të tij në qeverisje. Një formë presioni ndaj vëllait armik në qeveri”.


Duke vijuar në të njëjtën linjë, Berisha shtoi se, “Presidenti i Republikës dha një mendim të drejtë kur kërkoi thirrjen e kryetarëve të partive politike që ti inkurajonte për përballje të përbashkët, siç është Kushtetuta e re. Njeriu që refuzoi këtë është Edi Rama, pa PS tryeza nuk mund të bëhet. Ditën që u tërhoq drafti i kulisave tha se pasi ta hetojnë ekspertet do kalojë në komisionin e parlamentarëve…Më dëgjoni, kjo është luftë e brendshme për jetë a vdekje mes vëllezërve armiq në qeveri. Kokën le t’i hanë njëri-tjetrit. A ia vjen të ndërhysh? Unë jam i pari që e kam denoncuar që ky ka këtë qëllim ndaj këtij dhe ky një tjetër. Doli një betejë, do ketë një tjetër, është një luftë e brendshme. Uroj që zoti tu shtojë oreksin ndaj njëri-tjetrit”.


Duke akuzuar Ramën, Berisha shtoi se, pengesa kryesore për reformën në drejtësi, “janë sarajet e Surrelit”.

Berisha tha se drafti që propozon mazhoranca për reformën në drejtësi “i jep ministrit të drejtësisë kompetenca që i ka vetëm ministri i drejtësisë së Koresë së Veriut”. Ai sqaroi qëndrimin e ekspertëve të opozitës për draftin e propozuar, duke theksuar se ata kërkojnë të punojnë vetëm mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

“Edi Rama mori ekspert, Fatmir Xhafajn, përfaqësues i klaneve të drogës me dokumente. Hedh në draft kompetenca që i ka vetëm ministri i drejtësisë së Koresë së Veriut. Edi Rama zgjodhi këta specialistë, të gjithë pa përjashtim, përveç njërës që është një zonjë që kam respekt, pa asnjë njohuri në të drejtën kushtetuese, zgjodhi këta zotërinj për të bërë reformën”- deklaroi Berisha.

“Rekomandimet e Venecias përbëjnë një bazë të shkëlqyer të punës konsensuale, për të gjithë ata që duan një reformë me të cilën nuk kanë qëllim ta kapin për fyti drejtësinë, por kanë qëllim ta mbrojnë atë nga ndërhyrjet politike, ta bëjnë transparente veprimtarinë e saj. Por çfarë ndodhi, sa morën Venecian, Xhafaj dhe Rama e panë që drafti i tyre u arkivua në analet që meritonte dhe filluan punën në kulisa për të hartuar një draft, në një kohë që Venecia rekomandonte si metodë pune atë që  ndoq me dekriminalizimin.

Dhe me pas ekspertët e opozitës u vendosën para faktit të kryer. Krimineli nuk tërhiqet nga krimi. Në këto rrethana ekspertët e opozitës thanë ne kemi ardhur te punojmë mbi rekomandimet e Venecias. Me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, drafti i kulisave u tërhoq. Dje formuluan variantin B të kulimave dhe thonë do ta çojmë në Venecia. Opozita mbajti një qëndrim parimor të shkëlqyer.”- vijoi më tej Berisha.

Sipas ish-kryeministrit, opozita do që reforma të bëhet, mbi parime dhe standarde universalisht të pranuara, ndërsa Rama vetëm po e pengon atë.

Në nisje ai ngriti alarmimin e rrezikut që i kanoset qytetarëve, nga kirmi në revansh, sipas tij. Berisha akuzoi qeverinë për lidhje me njerëzit e krimit, ndërsa ftoi prokurorinë “Të hetojë lidhjet e Edi Ramës me krimin. Të hetohet lidhja e “Saje Qorrit” me krimin”. Duke iu drejtuar ministrit të Brendshëm, Berisha tha se “Saje Qorri” është i lidhur me bandën me uniformë policie”.

Më tej, ai ftoi qytetarët të marrin në dorë fatet e tyre përmes një revolucioni demokratik. “Qytetarët të ngrihen për të rikthyer shpresën në këtë vend. Ne s’pajtohemi kurrë me këto që ndodhin. Këta festojnë çdo natë largimin e shqiptarëve, vetëm se e dinë që janë vota kundra tyre. Është në përgjegjësinë tonë qytetare dhe njerëzore tu japim përgjigje përfundimtare këtyre dukurive rrënuese për qenien tonë. Ti largojmë me revolucion demokratik”.

Berisha shtoi se edhe ekonomia është në pikatë, të ardhurat gjithashtu. E kjo situatë sipas tij vjen “për shkak të kontrabandës dhe vjedhjes. Po bëhet kërdia me tenderat”.

(ma.ar/er.nu/BalkanWeb)

Etiketa: