Mëngjesin e sotëm në “Koha për t’u zgjuar” ishe i ftuar avokati Erald Aga, i cili u fokusua në çështjen e shpronësimeve.
Sipas tij, ligji është miratuar në vitin 1999 dhe ka pësuar disa ndryshime të cilat sipas avokatit janë jo Kushtetuese dhe duhet të ishin kundërshtuar.
“Ka pasur disa ndryshime, në vitet 2016 dhe 2020, të cilat nuk duheshin bërë sepse janë jo kushtetuese. Shteti ka të drejtën që për një investim me interes publik merr një pronë private dhe të shpronëson.
Por asnjë nga personat e shpronësuar nuk ka ndodhur të ketë marrë vlerën e pronës të plotë, i vetmi është Lulzim Basha, i cili e çoi çështjen në Strasburg dhe u trajtua në një kohë rekord për vetëm 3 vite. Qytetarët e tjerë janë shpronësuar me shifra qesharake. Ligji nuk parashikon që një vendim gjykate mund të ndaloje shpronësimin, por mund të kërkohet pavlefshmëria”, tha ai.
Sa i përket ndryshimeve të cilat i quajti absurde, avokati sqaroi se koncept i ri është shpronësimi i qytetarëve nga privatët apo koncepti i ndërtesave të vjetra e të degraduara të cilat shemben për të ndërtuar pallate dhe pronarët nuk përfitojnë asgjë më shumë se një banesë me metrat që kishin.
“Me ndryshimet ligjore të ndodhura në 2016 dhe 2020, shpronësimi kryhet edhe nga kompani private, koncept skandaloz. Privati i thotë shtetit do ta shpronësojmë ne sepse duam të ndërtojmë një pallat. Pra privati hyn në tratativa me shtetit për të shpronësuar qytetarin. Këto ndryshime duhet të ishin kundërshtuar.
Një koncept tjetër është forca madhore, e cila u fut pas tërmetit të 2019.
Gjatë fushatës para 2 viteve u tha që për shtëpitë e vjetra do të bëhet një auditim banesash. Për banesat mbi 50 vjet, audituesi do të thotë shtëpia jote nuk vlen është e degraduar. Aty janë ndërtuar pallate dhe ti merr vetëm një shtëpi aq sa kishte të vjetrën, pra 1+1 psh”, tha ai.
(BalkanWeb)