Deputeti demokrat, Halit Valteri, ka reaguar pas lajmit se kanë ndryshuar drejtuesit e Grupit Parlamentar të PD, ku është hequr nga posti i kryetares Rudina Hajdari, duke u zëvendësuar me Korab Litën.


Ishte pikërisht deputeti Lita, që publikoi në “Facebook” dokumentin me firmat e shtatë deputetëve, mes të cilëve edhe Halit Valteri, për ndryshimet në Grupin e PD, në të cilin rezultonte se Valteri ishte zgjedhur nënkryetar. Por, në një mesazh në “Facebook”, deputeti Halit Valteri thekson se nuk ka asnjë shkarkim apo zëvendësim të kryetarit të Grupit Parlamentar.


Ai publikon edhe shkresën drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, ku shkruan se vendimi lidhur me zëvendësimin e Kryesisë së Grupit nuk është marrë, duke shtuar se nëse ky vendim qëndron, ai largohet nga Grupi së bashku me disa kolegë të tjerë.


Mesazhi i deputetit Halit Valteri:

Në gojë të të marrit gjejmë farën e kryelartësisë, thoshte nënokja ime, por të urtët e ruajnë gjithmonë gjuhën. Por të marrin s’ke nga ta kapësh, është i paparashikueshëm! Ti e hekuros në një krahë, ai të rrudhoset në krahë tjetër. I marri bëhet kryetar vendi, kont, dukë, pse jo edhe mbret… vetëm për pak sekonda, derisa mbreti del cullak.

Gjithsesi në sqarim të opinionit publik, marrë përgjegjësinë si nënkryetar i grupit parlamentar të deklaroj, se ne kryetar të marrë nuk kemi, e as që do të kemi ndonjëherë. E nëse ky vendim nuk u pëlqen të marrëve, që gjejnë lloj lloj metodash për tu faktorizuar për disa minuta, me lumturimë të thellë u them, se nuk ka asnjë shkarkim apo zëvendësim të kryetarit të grupit parlamentar.

Klithjet e fundit për të devijuar kauzën e ndryshimit të sistemit zgjedhor, apo britmat kundër Reformës në Drejtësi, në “dobi” të disa aktorëve të tjerë brenda apo jashtë Parlamentit, nuk mund të pastrojnë apo mbrojnë kurrësesi imazhin e grupit të kolltukofagëve 30 vjeçar, që vazhdojnë e nginjen në plagë të infektuara, duke bërë pazare në kurriz të Shqipërisë. Për sqarim të kolltukofagëve, Grupi Parlamentar Demokrat ka një kauzë dhe ajo është më e SHENJTË, se secili emër që mund ta drejtojë këtë grup.

Patjetër që ka debat konstruktiv brenda grupit, por kurrë s’do të pranojmë të bëhemi peng të askujt, që u pasurua duke varfëruar, e që sot kërkon të mbrojë milionat me votat e atyre që i larguan. Për të gjithë ata të cilët janë shqetësuar nga një status që qarkulloi në rrjetet sociale, dua t’i shpjegoj, se parlamenti është institucion dhe si i tillë funksionon me shkresa, jo me statuse FB-je!

  • foto galeri
  • foto galeri

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb