Deputeti socialist Pandeli Majko i ka bërë thirrje Kuvendit që të votojnë ndryshimet sikundër kanë rënë dakort, por ka theksuar që të bëhet një nënvizim lidhur me votën e Diasporës.

Majko tha se nuk besonte se do të kishte pjesëmarrje në zgjedhje të 1 milionë zgjedhësve që jetojnë jashtë, por do të kemi ushtrim të së drejtës së zgjedhjes. “Mund të kemi probleme, por do ti zgjidhim rrugës”, tha ai. Majko theksoi se PD ka propozuar që procedurat do të përcaktohet nga Rregullatori me votim minimalisht 4 vota, çka do të thotë se duhet një konsensus edhe nga opozita, pasi PS ka vetëm 3 anëtarë. “Uroj që ky propozim mos jetë si gozhda e nastradinit”, tha ai.

Majko tha se ky është një nga diskutimet më të rëndësishme, përderisa vitin tjetër e kemi ligj zgjedhor.

“Këtu nuk na ka sjellë dashuria politike, por Kushtetuta. Kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që na detyroi dhe nëse nuk do të merreshin këto dy masa, do të ishim përpara faktit se zgjedhjet do të kontestoheshin nga ana ligjore”, tha Majko.

Ai u shpreh se dy negociatorët nuk janë mbyllur në ndonjë apartament, por kanë diskutuar me transparencë, na kanë sjellë një draft, që shpreh vullnetin e dy palëve. “Nuk na kanë sjellë në këtë situatë ne, sistemet. Nuk kemi pse fajësojmë sistemet, kur dështojnë rregullat e brendshme të partive politike”, tha Majko.

Ai tha se kush mendon se duhen aplikuar listat e hapura, të votojë kundër. “Nuk ka pse të thuhet se me këtë marrëveshje Edi Rama do të bëhet mbret. Unë nuk e di të jetë shkruar ndonjë rregull këtu me presion”, tha Majko.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb