TIRANË

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u ndal tek projektligji i kthyer për rishqyrtim në Kuvend për Kodin Penal nga ana e Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Numri dy i Partisë Socialiste tha se vonesat e krijuara nga presidenti për këtë ligj kanë  favorizuar abuzuesit, ndërsa tha se nëse kjo nismë do të kishte hyrë në fuqi dy muaj më parë kur dhe u propozua, sot disa prej abuzuesve do të ishin në burg.


Gjithashtu Balla risolli rastet e dhunës në stadiume, dhunës ndaj mjekëve dhe policëve dhe deri tek prishja e qetësisë publike. Ai theksoi se këto nuk do të ndodhnin nëse Meta nuk do shkaktonte vonesa për hyrjen  në fuqi të ndryshimeve në Kodin Penal.


“Nëse ky ligj do kishte hyrë në korrik apo gusht, në shtator do të kishim pasur rastet e para për personat abuzues. U vonuam dy muaj, për arsyen që dihen sepse presidenti e ka pozicionuar presidencën në njërën prej selive të opozitës. Prej sot nuk do të guxojë askush, sepse do të shkojë në kokërr të burgut ata që abuzojnë me sigurinë ushqimore, mashtrimin për cilësinë apo origjinën e produktit. Dhuna në stadiume, nëse do të ishte miratuar ndryshimet në Kodin Penal, ngjarjet që ndodhen në Shkodër para pak ditësh, teksa sulmohej ekipi i një futbolli, nuk do të kishte ndodhur. Dhuna ndaj mjekëve dhe ndaj punonjësve të policisë ka pasur raste të raportuar, nëse Meta nuk do kishte vonuar hyrjen e ligjit nuk do të kishte pasur idiotë që ngrenë dorën ndaj policit dhe mjekut, sepse  betimi i tyre prej hipokratit është i betuar për t’i shërbyer jetës së pacientit. Rreshta  ambulancash  në rrugë, që presin deri sa djali i Fahrit Balliut të përfundojë  fjalimin. Zhurmat nëpër zonat turistike të vendit vijuan dhe nëse do ta kishim miratuar kodin, ne do të kishim mundësinë që administratorë të subjekteve private të dënuar.”-tha ai.


(n.m/BalkanWeb)

Etiketa: