NGA VJOLLCA KONGJONI*

TIRANË- Masës administrative me gjobë ndaj bizneseve që shkelin ligjin i ka mbaruar efekti. Ndaj edhe ministria e Financave ka menduar që në ndryshimet e reja të ligjit në Kodin penal të shtohen dënimet me heqje lirie për evazorët dhe kontrabandistët. Afirmimi ka ardhur nga zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj gjatë shqyrtimit të projektligjit në komisionin parlamentar të ekonomisë, e cila ka kujtuar se shuma e gjobave të pambledhura në vitin 2013 arrinte në 86 miliardë lekë.

“Në 2013-ën gjetëm 71 miliardë lekë gjoba të pambledhura në tatime dhe në dogana ishin 15 miliardë gjoba të pambledhura. Ajo që ne mendojmë është se gjoba është një masë që në kulturën shqiptare i ka mbaruar efekti”, tha Beqiraj.

Por sipas ish- ministrit të Financave Ridvan Bode zëvendësimi i fjalës gjobë me fjalën burg në ligj nuk e ul evazionin dhe informalitetin por nxit më shumë kontrabandën.

“Thelbi është ajo që konstatuam të gjithë të hiqen ndëshkimet e natyrës ekonomike për tu zëvendësuar me ndëshkime dhe penalizime me heqje lirie, burgim. Fjala gjobë është zëvendësuar me fjalën burg në mënyrë masive duke ndarë edhe kufirin mes kontrabandës dhe kundërvajtjes administrative. Këtu burg 7 vjet njëra, e 7 vjet tjetra, kuptohet që ta dënosh 7 vjet si atë që bën kontrabandë dhe atë që s’ka mundësi të paguaj taksat sigurisht që këtu i bën një ftesë publike që të gjithë bëni kontrabandë, po ja hodhët ja hodhët përndryshe do ikni në burg të gjithë njëlloj”, deklaroi Bode.

Propozimet e qeverisë për ndëshkime me heqje lirie për shkeljet tatimore dhe doganore janë konsideruar të ashpra edhe për deputetin e LSI, Gjovalin Kadeli, sipas të cilit do të dëmtojnë biznesin.

“Nuk jam kundër masave por ju thatë që janë ashpërsuar disi, këtu nuk janë ashpërsuar disi, por me këtë lloj ndëshkimi ne e dëmtojmë rëndë biznesin”, tha deputeti Kadeli.

Në komisionin e ekonomisë përfaqësuesit e qeverisë kanë pranuar gjithashtu se në hartimin e këtij projektligji nuk janë konsultuar me bizneset. Ndryshimet në ligjin për Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë parashikojnë dënime maksimale deri në 10 vjet heqje lirie për kontrabandistët. Për aktivitetin tregtar të paligjshëm apo të paregjistruar deri në 3 vjet burg, mosdeklarim të të punësuarve dhe moslëshim të kuponit tatimor, po ashtu 3 vjet heqje lirie.

TABELA E NDESHKIMEVE

 

KONTRABANDA                                               6 MUAJ – 10 VITE BURG

AKTIVITETI TREGTAR I PALIGJSHËM           DERI NË 3 VITE BURG

AKTIVITETI TREGTAR I PAREGJISTRUAR    DERI NË 3 VITE BURG

MOSDEKLARIMI I TË PUNËSUARVE              DERI NË 3 VITE BURG

MOSLËSHIMI I KUPONIT TATIMOR               DERI NË 3 VITE BURG

TREGTIMI I PALIGJSHËM I BARNAVE MJEKËSORE   6 MUAJ – 5 VITE BURG

TREGTIMI I LËNDËVE DJEGËSE                  DERI NË 5 VITE BURG

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb