Në përfundim të mbledhjes se Konferencës se Kryetarëve,, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin pati një deklaratë për mediat. Ajo foli mes të tjerash edhe në lidhje me propozimin e PS lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votën e diasporës dhe herësin elektoral.
Drafti i socialistëve, shtoi Spiropali, është reflektim i vendimiet të Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë të drejtën e votës emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
“Kemi reflektuar kërkesat e Kushtetueses. Besojmë se diaspora duhet të votojë, ndaj kemi reflektuar vendimin e GJK që e konsideron mohimin e votës si jo kushtetues. Propozimi ynë i ngjashëm me sisteme edhe jashtë. Janë lehtësisht të zbatueshme. Nuk është qëllimi ynë as të bëjmë llogaritarin e votave, as të gjuajmë për vota. Ne besojmë që është detyrë e çdo deputeti të Kuvendit të Shqipërisë dhe çdo grupi parlamentar që të japi propozimet më të mira për të reflektuar si rekomandimet e OSBE-ODIR, ashtu edhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese, vendimet e Gjykatës Kushtetuese të cilat duhen zbatuar dhe më pas të shkojmë në seancë dhe ti votojmë. Propozimet tona janë aty, janë të thjeshta, janë të zbatueshme, lehtësisht të zbatueshme. Pra regjistrimi i atyre që jetojnë jashtë terrritorit të Shqipërisë 100 ditë përpara, fillimi i regjistrimit dhe më pas mbyllja e listave 50 ditë përpara zgjedhjeve, heqja e emrit të atyre që nuk jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, por jetojnë jashtë dhe bërja të mundur e votës së tyre e cila do të reflektojë vullnetin e atyre që vërtet nuk jetojnë fizikisht këtu por japin një kontribut të madh jo vetëm ekonomik, jo vetëm financiar, por në të gjitha fushat e jetës”, u shpreh ajo.
Por a mund të miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor pa konsensusin e opozitës? Spiropali la të hapur mundësinë e negociimit me palën kundërshtare duke ftuar PD-në që të bëjnë edhe ata propozimet e veta në tryezë.
“Gjithsesi ka ende kohë, ne kemi sjellë në tryezë propozimet tona që bëjnë këto dy reflektime, sa i takon mënyrës sesi llogariten mandatet, pra herësi, dhe mënyrës se si do të votojnë emigrantët dhe diaspora. Është me rëndësi që Partia Demokratike të na bashkohet dhe të japë propozimet e saj, apo dhe grupet e tjera parlamentare. Dhe pastaj të gjitha propozimet më të mira, që reflektojnë rekomandimet e ODIR, reflektojne vendimet e Gjykatës, ne ti sjellim në seancë për ti votuar. Është detyra jonë që ti votojmë dhe është detyra jonë që të gjejmë zgjidhje për kodin e ri zgjedhor që reflekton jo vetëm natyrën e zgjedhjeve por edhe kërkesat e institucioneve”.
Spiropali ka folur edhe për projektdeklaratën e propozuar nga PDIU për heqjen e ligjit të luftës nga ana e shtetit grek. Qeveria, tha Spiropali, ka bërë disa herë përpjekje me qeverinë greke për të shfuqizuar ligjin e luftës, sipas saj absurd dhe një praktikë tanimë e nxjerrë jashtë kohe.
Deklarata e plotë e ministres:
Spiropali: Këshilli i Ministrave dhe shumica jonë parlamentare e mbështet plotësisht deklaratën e propozuar nga grupi parlamentar për demokraci dhe integrim. Qeveria shqiptare ka bërë çdo përpjekje me qeverinë greke për abrogimin e ligjit të luftës që është një ligj absurd, krejt i panevojshëm dhe i dalë kohe. Jo vetëm në përpjekjet tona dypalëshe, jo vetëm deklaratat e ministrave të jashtëm të Greqisë ndër vite, deklarata e zotit Kotzias që e quan ligjin “një budallallëk historik” apo deklarata e zotit Dendias, ish ministri jashtëm, që e quan një “atavizëm të panevojshëm”. Por edhe në takimet më të afërta me homologët tanë dhe me qeverinë greke ne e kemi bërë prezente qendrimin tonë. Sigurisht, deklarata e propozuar, uroj dhe besoj se do të marrë mbështetjen e të gjithë parlamentit të shqipërisë për tu miratuar sepse Greqia është një shtet mik, është një aleat strategjik i Shqipërisë. Ne e kemi firmosuar dhe më pas e kemi vënë në funksion Traktatin e Paqes, Mirëkuptimit, Bashkëpunimit dhe Sigurisë me Greqinë, që në vitin 1996 e më pas në ’98 është ratifikuar. Jemi anëtarë të NATO-s, jemi në Këshillin e Evropës së bashku, në OSBE dhe kudo Greqia është një aleat i vendosur i Shqipërisë edhe për integrimin në Bashkimin Evropian ndër vite dhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe diskutimi në Kuvend nuk i bën keq askujt, përkundrazi e ngre peshën e përgjegjësisë së qeverisë shqiptare, por edhe të qeverisë greke në një nivel të ri për t’iu përgjigjur vullnetit të sovranit, popullit tonë, që përfaqësohet përmes deputetëve për të abroguar këtë ligj i cili nuk reflekton as marrëdhëniet miqësore mes dy shteteve, as marrëdhëniet miqësore mes dy qeverive, dhe as marrëdhëniet miqësore mes dy popujve tanë.
Gazetarja: Ka patur diskutime në Konferencën e Kryetarëve për propozimin e mazhorancës për ndryshime në Kodin Zgjedhor? Do të futet të paktën në seancat e fundit? Janë tre seanca të fundit në mos gaboj që kanë mbetur…
Spiropali: Sigurisht ne kemi reflektuar kërkesat e Gjykatës Kushtetuese të vendimeve të 2021 dhe 2022. Kemi bërë çdo përpjekje që opozita, Partia Demokratike, si në Komisionin e Reformës Zgjedhore po ashtu edhe në diskutime të tjera formale dhe informale, të mund të gjejmë fjalën e përbashkët dhe veprimin e përbashkët për të çuar një kod zgjedhor I cili do të marrë votat e kërkuara, pra shumicë të cilësuar. Por në këtë pikë ku nuk kemi dakordësi për këtë çështje, sigurisht që Grupi Parlamentar I Partisë Socialiste ka vendosur të çojë në Kuvend propozimet tona që reflektojnë vetëm fije për pe kërkesat e Gjykatës Kushtetuese. Ne besojmë që diaspora shqiptare duhet të votojë dhe këtë do ta bëjmë realitet në zgjedhjet më të afërta. Ndaj, kemi reflektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e konsideron jokushtetuese mohimin e votës për diasporën dhe kemi bërë propozimet tona, një propozim i cili është i ngjashëm me sistemet e votimit në shumë vende të tjera të Bashkimit Evropian. Propozimet tona janë aty, janë të thjeshta, janë të zbatueshme, lehtësisht të zbatueshme. Pra regjistrimi i atyre që jetojnë jashtë terrritorit të Shqipërisë 100 ditë përpara, fillimi i regjistrimit dhe më pas mbyllja e listave 50 ditë përpara zgjedhjeve, heqja e emrit të atyre që nuk jetojnë në terrritorin e Republikës së Shqipërisë, por jetojnë jashtë dhe bërja të mundur e votës së tyre e cila do të reflektojë vullnetin e atyre që vërtet nuk jetojnë fizikisht këtu por japin një kontribut të madh jo vetëm ekonomik, jo vetëm financiar, por në të gjitha fushat e jetës.
Gazetari: Duhen 84 vota, mendoni se do ti sigurini këto vota nga opozita në seancën ku do të votohet? Nga partitë e vogla parlamentare?
Spiropali: Nuk është qëllimi ynë as të bëjmë llogaritarin e votave, as të gjuajmë për vota. Ne besojmë që është detyrë e çdo deputeti të Kuvendit të Shqipërisë dhe çdo grupi parlamentar që të japi propozimet më të mira për të reflektuar si rekomandimet e OSBE-ODIR, ashtu edhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese, vendimet e Gjykatës Kushtetuese të cilat duhen zbatuar dhe më pas të shkojmë në seancë dhe ti votojmë. Gjithësesi ka ende kohë, ne kemi sjellë në tryezë propozimet tona që bëjnë këto dy reflektime, sa i takon mënyrës sesi llogariten mandatet, pra herësi, dhe mënyrës se si do të votojnë emigrantët dhe diaspora. Është me rëndësi që Partia Demokratike të na bashkohet dhe të japë propozimet e saj, apo dhe grupet e tjera parlamentare. Dhe pastaj të gjitha propozimet më të mira, që reflektojnë rekomandimet e ODIR, reflektojne vendimet e Gjykatës, ne ti sjellim në seancë për ti votuar. Është detyra jonë që ti votojmë dhe është detyra jonë që të gjejmë zgjidhje për kodin e ri zgjedhor që reflekton jo vetëm natyrën e zgjedhjeve por edhe kërkesat e institucioneve.
Gazetari: Edhe një pyetje për kodin zgjedhor duke qënë se është çështje e ditës. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike zhvilluan një mekanizëm dialogu, pra pikërisht për të sheshuar ato mosmarrëveshjet politike që keni… u depozituan në mënyrë të njëanëshme në Kuvend ditën e djeshme propopzimet për ndryshime në Kodin Zgjedhor …. A e keni hedh në erë pra Partia Socialiste këtë grup dialogu, praktikisht se tanimë duket sikur nuk e keni marrë parasysh mendimet e palës tjetër dhe i këni çuar në Kuvend për votim?
Spiropali: Krahasimet me hedhjen në erë, përdorjen baruti, dinamiti, nuk kanë vend fare në këtë diskutim sepse ishin ne që e propozuam një grup dialogu brenda Komisionit të Ligjeve, pikërisht për të bërë të mundur diskutimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo që vijnë si kërkesë e Bashkimit Evropian në kuadër të anëtarësimit apo procesit SCREENING. Është e qartë që ne e kemi të gjithë vullnetin për ta bërë këtë debat, për të marrë propozimet më të mira, për të gjetur zgjidhje që shkojnë përtej interesave të një partie dhe një tjetër. Në fund me propozime ne nuk do të sigurojmë fitoret e partive, fitoret garantohen aty në territor dhe me votë. Ne do të garantojmë rregullat e lojës dhe disa rekomandime për të rafinuar Kodin Zgjedhor.
Gazetare: Por znj.Spiropali nuk zbatuar asnjë rekomandim të OSBE -ODIHR?
Spiropali: Kur nuk i zbatuam? Rekomandimi kryesor i OSBE-ODHR është që të kemi depolitizim të organeve…ndërhyrje nga gazetarja….është një nga rekomandimet kryesore dhe ne e kemi shprehur ne krye të herës sot dhe gjithmonë jemi pro depolitizimit të si organeve zgjedhësve ashtu edhe ato të numërimit. Po ju them që ne jemi të gatshëm për tu ulur dhe për të folur për rekomandime….
Gazetarja: Ato thanë që duhen zbatuar vetëm vendimet e gjykatës?
Spiropali: Jo nuk e mbyllëm…Ne ishim në një ngushtim afati për të reflektuar këto rekomandime dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç ende jemi në pritje për të marrë propozime që deri në këtë ditë nuk i kemi.
(BalkanWeb)