TIRANE- Opozita dhe mazhoranca u përfshinë në debate të hënën, teksa ministri i Financave, Shkëlqim Cani prezantoi ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore” përmes së cilave rritet masa e penalitetit për bizneset që kryejnë evazion fiskal.


Ministri i Financave z.Cani tha se reforma është shumë dimencionale si nga pikëpamja e strukturës së biznesit ashtu edhe nga pikëpamja e institucioneve të përfshira në këtë reformë.


Sipas tij, lufta ndaj informalitetit nuk do të ishte e mjaftueshme nëse nuk do të bëheshin ndërhyrje edhe në kuadrin ekzistues legjislativ, duke ashpërsuar masat ndaj kujtdo që kërkon të shkelë ligjin e të prekë të ardhurat e buxhetit të shtetit.


Ndërhyrjet në ligj, tha Cani, janë bërë të balancuara në të dy krahët si në kërkesë edhe në detyrim të zbatimit të ligjit nga biznesi po ashtu edhe nga inspektoriatet përkatëse.

Në këtë draft ligj, tha më tej Cani, kemi bërë ndërhyrje për të penguar bizneset që prodhojnë evazion të konsiderueshëm fiskal dhe pengojnë rritjen e të ardhurave të buxhetit. “Masat e propozuara synojnë rregullim afatgjatë të marrëdhënieve me biznesin”, u shpreh kreu i financave publike.

Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode duke deklaruar votën kundër të opozitës, tha se ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria e kanë bazën jo tek një reformë e programuar, por janë një represion i ri mbi biznesin dhe qytetarët. Janë masa të marra, tha ai, në emergjencë dhe çoroditje dhe sigurisht meritojnë vëmendjen dhe shqetësimin e opinionit të gjerë publik dhe opozitës.

“Këto masa represive e kanë bazën tek dështimi që qeveria pati në 6-mujorin e parë në realizmin e të ardhurave të buxhetit dhe defiçitet e mëdha të krijuara në të ardhurat. Argumentat e qeverisë, të dëgjuara nga ministri për mungesën e të ardhurave, bazoheshin tek dështimet në sektorin e e energjisë elektrike, në çmimin e tregjeve ndërkombëtare të karburanteve, inflacionin e ulët të vendit dhe në ritmet e bujqësisë që po vijnë duke u përmirësuar dhe në asnjë vend nuk u evidentua se problemi kryesor i mosrealzimit ka të bëjë me informalitetin dhe në të vërtetë nuk ka të bëjë me informalitetin, ka të bëjë me evazionin dhe korrupsioni që bëhet në zërat kryesor të të ardhurave siç është tregtia e mallrave të akcizës dhe te adminstrimi i dobët që bëhet pikëisht në këtë pjesë të tregut dhe industrive kur të ardhurat e buxhetit janë kryesore, ku mudësia për të matur qarkullimin është më e lehtë dhe ku mblidhet më shum se 98 % e taksave.”, deklaroi Bode.

Sipas tij, këto masa shtesë ligjore nuk janë të nevojshme pasi krijojnë stres dhe kosto shtesë sidomos tek biznesi i vogël.

Por sipas kreut të Financave publike, Shkëlqim Cani, në ditët e para të operacionit të qeverisë, pa kasa e pa punonjës të paregjistruar ishin afërsisht 1/3 e bizneseve që u kontrolluan, pa përmendur këtu, që 20 % e bizneseve që u kontrolluan u gjetën të mbyllura, shifër kjo e lartë e e papranueshme që nuk ka arsye tjera, veç parregullsisë.

AI theksoi se të dhënat e deritanishme janë relativisht premtuese gjatë muajit shtator, ku u regjistruan mbi 12 mijë biznese të reja, nga 1137 të regjistruara në shtator të 2014-ës, apo 861 në shtator të 2013-ës.

Në ndryshimin e propozuar është standardizuar masa e gjobës në 500 mijë lekë për çdo punonjës të padeklaruar, pavarësisht se tatimpaguesi është subjekt i TVSH-së dhe tatim-fitimit apo jo. Në nenin 15 propozohet të shtohet një nen i ri, neni 119/1, lidhur me vendosjen e penaliteteve nëse nga verifikimi dhe kontrolli rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar pagën reale të çdo të punësuari në organin tatimor, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të llogaritura nga data e konstatimit, dhe në këtë rast tatimpaguesi dënohet me gjobë në masën 500 000 lek për rastin e parë të konstatimit. Çdo konstatim i përsëritur i mosdeklarimit të pagës reale të punonjësve, pas aplikimit të dënimit administrativ, konsiderohet evazion tatimor, sipas nenit 116, të ligjit, dhe administrata tatimore ushtron të drejtën e parashikuar në nenin 131, të këtij ligji, duke e bërë kallëzimin penal për tatimpaguesin.

“Kemi konstatuar se biznesi i madh apo i shitjes me shumicë, në disa raste ekstreme edhe deri në 90 % të shkarkimit, e bën me kupon tatimor, pra në dukje është biznes shumice, por 90 % të shërbimit apo mallit të shitur e bën me kupon tatimor sikur ja bën individit. Ne kemi gjykuar t’u lëmë një kohë të arsyeshme deri me 31 mars që këto biznese mund t’u shesin me kupon tatimor individëve, vetëm 10 % të xhiros së tyre, pjesa tjetër duhet me faturë tatimore. Pas datës 1 prill 2016 nik lejohen të shesin më me kupon tatimor.”, deklaroi Cani.

Ndaj tha ai, në nenin 16 të projektligjit propozohet forcim i penaliteteve për mbajtjen, ruajtjen apo transportin e mallrave pa faturë. “Në ligjin e ri propozohet forcimi i penaliteteve për këto raste shkeljesh të ligjit të procedurave. Masat e propozuara janë: në rast se tatimpaguesi që shet mallra me shumicë, që mban në ruajtje, përdor apo transporton mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, dënohet me 3 penalitete: 1. gjobë në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë; 2. konfiskim të të gjithë sasisë së mallit që mbahej në ruajtje, përdorej apo transportohej, i pashoqëruar me dokumente tatimore (me të drejtë të blerjes së mallit me vlerë tregu); 3 . rivlerësim tatimor të të ardhurave për një periudhë 6-mujore që do të thotë se e gjithë vlera e mallit i shtohet të ardhurave të tatimpaguesit për 6 muajt e mëparshëm dhe rivlerësohen detyrimet tatimore për TVSH-në dhe tatimfitimi pikërisht mbi këtë bazë të re të ardhurash”, tha ministri i Financave.

(el.sp/BalkanWeb)

Etiketa: