TIRANE –Për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, largimi i Nasip Naços nga posti i ministrit të Drejtësisë nuk mund të quhet ndryshim, pasi sipas tij, “të flasësh për Naço e Paço kur shqiptarët nuk kanë bukë për tu dhënë fëmijëve është një tallje e papranueshme”.

“Nuk ka ndryshime në qeveri. Ndryshimi në qeveri që presin shqiptarët është largimi i shkaktarit të varfërisë, depresionit, gjendjes ku ndodhen sot.”-tha Basha, në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së.

Pak përpara nisjes së mbledhjes së PD-së, ku do të diskutohet gjerësisht platforma ekonomike e Partisë Demokratike, Basha tha se kjo platformë synon lehtësira që do të bëjnë të mundur rikthimin e shpresës dhe optimizmit.

“Ne bëhemi gati tu ofrojmë shqiptarëve një rrugë tjetër. Do të prodhojë më shumë mirëqenie për shqiptarët. Platforma jonë është në kontrast të plotë me hapat që ka ndërmarrë qeveria Rama. Rënien e xhiros, rënien e lekut, rënien e mirëqenies së shqiptarëve. Në vend që të reflektojë për kursin e gabuar, çfarë bën, sjell në parlament ligje për burgosjen e biznesit, dhe paketa për rritjen e taksave për shqiptarët”. –deklaroi Basha.

Sipas liderit të opozitës, kësaj qeverie i mungojnë 1 milionë dollarë në ditë dhe askush nuk jep përgjigje.

“Rama nuk ka dhënë përgjigje përse i mungojnë miliona euro, presim të zbardhet shifra. Në kulmin e aksionit kundër informalitetit qeverisë i mungojnë 1 milionë dollarë në ditë. Eshtë fatura e korrupsionit, vjedhjes, në sektorin e naftës, cigareve, mallrave të akcizës.
Paratë vidhen ditën për diell dhe natën me hënë nga xhepat e shqiptarëve.”-deklaroi Basha.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: