TIRANË- Pavllo Mihali, babai i Marvi Mihalit i vrarë 31 korrikun e kaluar pret një vendim gjykate të drejtë për krimin që i mori jetën djalit të tij. Me kokën ulur, në një prononcim pas vendimit të gjykatës për të pranuar ndryshimin e akuzës për tre prej të akuzuarve të liruar ai thotë se beteja mes së keqes dhe së mirës sapo ka filluar.

“Beteja ndërmjet së keqes dhe së mirës sapo ka filluar. Që të fitojë e mira do pak kohë. Sot gjykata dhe Prokuroria vendosën që tre nga të liruarit, Eugen Bitraj, Marsel Alla dhe Kridens Alla t’iu ndryshohet masa e arrestit ashtu siç është e vërteta. Presim që të vendoset drejtësia plotësisht, mbas vendimit që do jepet në themel”, u shpreh Pavllo Mihali.

Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e Prokurorisë për të ndryshuar akuzën për tre bashkautorët e vrasjes së Marvi Mihalit Eugen Bitraj, Marsel dhe Kridens Alla, të cilët u liruan në fillim të majit nga “moskallëzim krimi” në “vrasje në bashkëpunim”. Po kështu, edhe prokurori i çështjes u ndryshua pas ndërhyrjes së Kryeprokurores Arta Marku.

Pas vendimit të sotëm tre të rinjtë mund të përfundojnë në burg, pasi në shumicën e rasteve për akuzën “vrasje në bashkëpunim” lihet në fuqi masa “arrest me burg”. Gjithsesi duhet pritur vendimi i gjykatës për të mësuar çfarë do ndodhë me tre të rinjtë që qëndrojnë të lirë deri në këto momente.
Në qeli aktualisht ndodhet vetëm Devi Bitraj i akuzuar si autori kryesor i vrasjes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb