Nuk ka qetësi në kadastrën e Vlorës edhe pas ndryshimeve të drejtuesve të këtij institucioni pak ditë më parë. Këtë të hënë kreu i ri i Kadastrës Elona Hodaj ka nisur zyrtarisht punën.
Urdhri i saj i parë ka qenë hapja e dosjeve të vjetra për shqyrtim të cilat nuk kanë marrë zgjidhje, ndërkohë që ka kërkuar kufizimin e hyrjes së individëve të ndryshëm në ambientet e institucionit.
Por edhe me këto ndryshime drejtuesish situata në kadastrën e qytetit të Vlorës duket po njëlloj.
Që në orët e para të hapjes së sporteleve nuk kanë munguar tensionet mes qytetarëve dhe punonjësve të kadastrës. Shumë prej problemeve sipas qytetarëve kanë ardhur për shkak të gabimeve të vet institucionit.
Qytetarët sorollaten në këto sportele prej shumë vitesh dhe ende nuk po marrin asnjë zgjidhje duke humbur kështu edhe besimin nëse do ta kenë një të tillë edhe në të ardhmen. Situata në hipotekën e Vlorës ka bërë që te ketë një sërë ndryshimesh ndërsa nuk dihet ende se si do të jetë vazhdimësia.
(BalkanWeb)