TIRANE-Ofertat e reja duhet të kenë të njëjtën sasi minutash brenda me jashtë rrjetit. Ofertat nuk zgjasin më shumë se 3 muaj dhe dorëzohen në AKEP. Gjoba nga AK ose AKEP në rast të moszbatimit

Ofertat e kompanive celulare në Shqipëri pritet të ndryshojnë në mënyrë rrënjësore këtë muaj. Pas hyrjes në fuqi të dokumentit të analizës së tregut të telefonisë celulare, AKEP ka vendosur të detyrojë operatorët celularë të ndryshojnë tarifat dhe minutat në paketat tarifore standarta dhe ofertat që nga ky muaj(janar 2015) e në vijim.

Sipas vendimit të AKEP 2522 të datës të 6.11.2014 operatorët celularë që nga data 1 janar 2015 ndalohet të aplikojnë tarifa në nivel me pakicë që kanë efekt diskriminues për sipërmarësit e rrjeteve të tjera celulare kombëtare.

Ky rregullim parashikon që tarifat e thirrjeve drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare nuk duhet të jenë më të larta se tarifat e thirrjeve brenda rrjetit si dhe sasia e minutave brenda rrjetit të përfshira në oferta/pagesë fikse të paketave tarifore nuk duhet të jetë më e madhe se sasia e minutave drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare.

Barazohen minutat brenda me jashtë rrjetit

Kjo masë pritet të ndryshojë në mënyrë thelbësore ofertat e kompanive celulare ku vihen re diferencime të tarifave dhe minutave brena me jashtë rrjetit dhe tashmë nëse vendimi i AKEP do të zbatohet duhet që minutat e ofruara në oferta brenda rrjetit të jenë të barabarta me minutat jashtë rrjetit. AKEP është treguar i kujdesshëm që masat detyruese të zbatohen për të gjitha paketat tarifore standarte, ofertat, shportat, opsionet dhe skontot të ofruara për pajtimtarët.

AKEP sqaron se detyrimi per aplikim te tarifave te njejta me pakice on-net/off-net nenkupton qe edhe ofertat/shportat/opsionet apo skontot ne teresi duhet te kene nivel te njejte on-net/off-net: tarifa dhe/ose sasi minutash te perfshira ne oferte/pagese fikse. Aplikimi i detyrimit te mesiperm eshte i drejtperdrejte, i thjeshte dhe me efikas dhe me proporcional se lidhja e tarifes se terminimit me tarifen mesatare on-net.

Detyrimi i mesiperm pra perfshin detyrimin qe operatoret te mos bejne dallim ne minutat e perfshira ne oferta, nese ato jane on-net apo off-net. Kjo do te reduktonte numrin e ofertave qe jane te fokusuar per konsum on-net si dhe ne total numrin e ofertave, pasi operatoret do te duhet te jene me racionale me ofertat.

Brenda Janarit operatorët dorëzojnë ofertat në AKEP

Masat rregulluese të AKEP janë detyruese për operatorët celulare duke filluar aplikimin e tyre nga data 1.01.2015, për të dhënë kohën e mjaftueshme për operatorët celulare të kryejnë ri-koonfigurimin e paketave tarifore dhe ofertave/paketave opsionale. AKEP do konsiderojë edhe përfshirjen e tyre në Rregulloren për publikimin e tarifave (Rregullore nr.27, date 21.09.2012), dhe aplikimin edhe për sipërmarrës të shërbimeve të tjera të komunikimeve elektronike.

Njëkohësisht, për shkak se detyrimet e mësipërme mund te anashkalohën përsëri duke përdorur oferta shumë të ulëta, AKEP propozon që të vendosë detyrime për operatorët celulare për sa i përket rishikimit të tarifave të planeve standarde dhe përdorimit të ofertave.

Sipas vendimit të AKEP secili operator celular duhet që në muajin Janar të cdo viti të paraqesë në AKEP tarifat e planeve standarde dhe ndryshimet e kryera në vitin paraardhës ofertat/promocionet apo skontot e përkohshme në tërësi.

Këto oferta duhet të kenë afat vlefshmërië të përcaktuar qartë që në fillim të aplikimit dhe jo më të gjatë se 3 muaj si dhe operatori nuk duhet të paraqesë të njëjtën ofertë me emër të ndryshuar kur elementi kryesor i saj nuk ka ndryshuar. Skontot ne oferta që zgjasin më shumë se 3 muaj duhet të përfshihen në paketat/tarifat standarde.

Gjobë nga AKEP ose Konkurrenca në rast të moszbatimit të masave

AKEP do të monitorojë me kujdes zbatimin e këtyre masave për mos-diskriminim nga operatorët dhe në rast mos-zbatimi do të aplikojë përcaktimet e ligjit 9918 për shkeljet e kryera. AKEP njëkohësisht do të bashkëpunojë edhe me Autoritetin e Konkurrencës, në bazë të përcaktimit të nenit 61 të ligjit 9918 “Kur AKEP-i, me nismën e vet, ose nëpërmjet njoftimit nga sipërmarrës të tjerë apo palë të tjera të interesuara, gjykon se sipërmarrësi me fuqi të ndjeshme në treg po abuzon me pozitën e tij, e parashtron rastin përpara Autoritetit të Konkurrencës, duke i kërkuar fillimin e procedurave përkatëse ligjore”.

Mos-zbatimi nga operatorët i detyrimeve të vendosura për mos-diskriminim në tarifa/skonto/oferta të thirrjeve/SMS-ve on-net/off-net, do të konsiderohet sjellje abusive me pozitën dominuese (FNT) në terminimin e thirrjeve.

Në këtë mënyrë ligjet respektive të rregullimit të tregut dhe konkurrencës parashikojnë që moszbatimi i masave rregulluese mund të ndëshkohet me gjobë nga AKEP ose Autoriteti i Konkurrencës ose nga të dyja institucionet.

(d.b/Monitor/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb