VLORË- Një kthesë në hetimet e vrasjes së 22-vjeçarit Armando Rrapaj në Vlorë më 17 janar. Sot Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për Novruz Merkaj, 20-vjeçarin që u arrestua bashkë me të vëllain Klevisin si autor i dyshuar i vrasjes së të riut me thikë. Klevisi u la i lirë pasi Novruzi pranoi se e kishte kryer ai krimin. Sot në seancë i pandehuri është shfaqur i mbuluar me kapuç dhe me kokën ulur.
Por sot familjarët e autorit që ishin në gjyq bashkë me vëllain tjetër që u akuzua fillimisht për këtë ngjarje, thanë për “BalkanWeb” se vrasja ishte kryesor për vetëmbrojte pasi viktima u kishte sulmuar djemtë. Gazetari Enrik Mehmeti raporton se, edhe vetë autori ka thënë se “viktima po i godiste nënën dhe vëllain kur ndërhyu duke e qëlluar me thikë”.
“Ngjarja ishte për vetëmbrojtje. Ditën e ngjarjes Armando goditi nënën tonë.
Nëna është dërguar në Spitalin Ushtarak. Armando plagosi edhe vëllain e madh Klevisin. Ai ngacmonte gruan e Klevisit”, kanë deklaruar familjarët e Novruz Merkaj sot.
Ngjarja ndodhi të martën rreth orës 13:45 ku Armando Rrapaj u qëllua me thikë dhe humbi jetën në spital për shkak të hemorragjisë. Fillimisht u hetua në dy pista, atë të një borxhi mes viktimës dhe autorit dhe ajo e sherrit për motrën e 2 vëllezërve Merkaj. Por tashmë familjarët kanë treguar një version tjetër të ngjarjes.
(m.k/BalkanWeb)
