“Më shumë mbrojtje për shëndetin e qytetarëve me forcimin e masave kundër duhanpirjes dhe përfshirjen në ligj të të gjitha produkteve të duhanit që dëmtojnë shëndetin”.  Gjatë fjalës në Kuvend, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se do të ndalohet konsumimi në ambiente të mbyllura edhe për duhanin me ngrohje, cigaren elektronike dhe shisha/nargjile, që janë të dëmshme për shëndetin e qytetarëve.

Kuvendi miratoi sot ndryshimet në ligjin “për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”.

“Këto ndryshime ligjore, nuk janë thjeshtë dhe vetëm ndryshime që forcojnë masat për kontrollin e duhanpirjes por në thelb dekurajojnë konsumimin e duhanit, duke ulur rrezikun e prekjes së popullatës së shëndetshme nga semundjet kardiovaskulare apo ato të mushkërive”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se ndryshimet në projektligj janë hartuar në frymën e Direktivës 40/2014 të BE si dhe Konventës Kuadër të OBSH për kontrollin e duhanit dhe të konsultuara me grupet e interesit, Manastirliu tha se ndryshimet parashikojnë edhe forcimin e masave ndëshkuese në rast të moszbatimi të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit nga produktet e duhanit.

“Ndryshimet kane për synim të forcojnë implementimin e ligjit dhe shtimin e mbrojtjes për qytetarët që ekspozohen në mënyrë të pavullnetshëm ndaj tymit të duhanit. Nëse një subjekt shkel 2 herë rresht brenda dy muajve nenin që ndalon pirjen e duhanit në ambiente të brendshme, gjoba do të jetë sa dyfishi i gjobës së parë. Nëse e përsërit të njëjtën shkelje brenda një afati 1 vjeçar gjobitet me 6-fishin e gjobës, duke shkuar deri në mbyllje të aktivitetit dhe heqje të licencës për ato subjekte që gjobiten në mënyrë të vazhdueshme”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë gjatë fjalës në Kuvend.

Do të ndalohet gjithashtu shitja e produkteve të duhanit me shije karakteristike (mente, vanilje etj) si dhe shitja e paketave të duhanit me numër të reduktuar cigaresh, si masa për të dekujaruar duhanpirjen.

Në fund të fjalës saj Manastirliu theksoi se do të fillojë një fushatë informimi dhe ndërgjegjësimi për të informuar qytetarët mbi ligjin e ri të duhanit.

“Puna jonë fillon tani dhe nuk mbaron me ngritjen e ligjit. Ndaj kjo është një përgjegjësi qytetare dhe është sfida e çdo qytetari dhe e Ministrisë së Shëndetësisë. Ne do të fillojmë një fushatë informimi dhe ndërgjegjësimi për ndryshimet ligjore, për masat ndaj subjekteve që thyejnë ligjin, për risitë në mënyrë që të mos vijojmë direkt me gjobat dhe të mos përballemi me mungesën e informimit nga ana e qytetarëve”, përfundoi fjalën e saj ministrja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb