Kontroll i rreptë në dogana, pika prodhimi dhe shitje nëpërmjet gjurmueshmërisë së kripës deri në mbërritjen tek konsumatori.


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka shpjeguar në Komisionin e Shëndetësisë se me ndryshimet e reja ligjore do të shtohen kërkesat për gjurmueshmërinë e kripës për konsum human, shtazor dhe përdorim në industrim ushqimore.


“Për herë të parë futet në ligj koncepti i gjurmueshmërisë së kripës i cili u kërkon subjekteve tregtuese të ruajnë informacion për të gjitha fazat e prodhimit, përpunimit, jodizimit dhe shpërndarjes së kripës”, ka shpjeguar Manastirliu.


Duke theksuar se aktualisht 75 % e kripës së jodizuar prodhohet në vend, Manastirliu tha se është më e lehtë për institucionet monitoruese dhe inspektuese që të ushtrojnë një numër më të lartë kontrollesh dhe në këtë mënyrë kemi më shumë garanci që kripa që hidhet në treg është e jodizuar sipas standarteve.

Ndryshimet ligjore që propozohen vijnë si rekomandim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Do të forcojmë instrumentat e kontrollit dhe monitorimit në mënyrë që kripa që del në treg të jetë sipas standardeve. Testimi për kripën e jodizuar do të bëhet në laboratorë të standardizuar dhe nuk do të ketë asnjë tolerancë për shkeljet në nivelin, cilësinë dhe ambalazhimin e kripës së jodizuar”, tha Manastirliu.

Sipas ministres, të gjitha llojet e kripës ushqimore, që përdoren për konsum shtëpiak dhe për përpunim ushqimi, duhet të pasurohen me jod si strategji e efektshme dhe e sigurt për parandalimin dhe kontrollin e çrregullimeve nga pamjaftueshmëria jodike te ato popullsi, që jetojnë në kushte të qëndrueshme dhe emergjence.

Me ndryshimet ligjore, synohet ulja e pamjaftueshmërisë jodike në popullatën shqiptare, si një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve si struma dhe prapambetja mendore.

Studimit Demografik Shëndetësor 2017-2018 tregoi që 65% e familjeve përdorin kripë të jodizuar sipas standarteve (>15ppm). Aktualisht, MSHMS dhe Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me UNICEF po marrin masa për të zbatuar një studim kombëtar te fëmijët dhe gratë shtatëzëna për të matur nivelin e jodit të këto grupe të popullatës.

(BalkanWeb)