TIRANE- KLD ka diskutuar dhe miratuar me shumicë votash emërimin e Ndue Gjura në detyrën e inspektorit Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Aktualisht, Gjura është gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Ndërkaq në mbledhjen e sotme të KLD-së janë shqyrtuar kandidaturat për gjyqtarë, për plotësimin e 3 (tre) vendeve vakant, në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.

Duke pasur në konsideruar natyrën e veçantë dhe rolin shumë të rëndësishëm te Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Këshilli i Lartë i Drejtësisë në përzgjedhjen e gjyqtarëve që do të jenë pjesë e kësaj trupe gjyqësore u fokusua rigorozisht vetëm në kandidatët me pikët më të larta sipas sistemit të pikëzimit.

Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash, vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës kandidaturat: Daniela Shirka, Miliana Muça, dhe Bib Ndreca.
Seanca plenare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë vijoi me shqyrtimin e informacionit të ardhur nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me procedimet penale ndaj gjyqtarëve R.D. dhe P.A. Pas diskutimeve rreth statusit të këtyre gjyqtarëve, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi të pezullojë nga detyra këto gjyqtarët R.D. dhe P.A, deri sa të merret një vendim gjyqësor i formës së prerë, për çështjen penale në ngarkim të tyre.

Gjithashtu, Këshilli, shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, për vitet 2007-2009, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”. Pasi shqyrtoi ankimet përkatëse, Këshilli miratoi aktet e vlerësimit për 3 (tre) gjyqtarët e mëposhtëm:
Ariola Kristo, Rrethi Gjyqësor Korçë;
Flora Hasimi, Rrethi Gjyqësor Durrës;
Shpëtim Reka, Rrethi Gjyqësor Durrës.

Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb