Refugjatët e parë nga Italia do të vijnë në kampin e Shëngjinit në fillim të shtatorit. Qendra e pritjes pothuajse është gati dhe në datën 20 gusht do të mbërrijë aty kontigjenti italian që do të menaxhojë kampin. Detajet specifike i ka dhënë e përditshmja italiane, La Repubblica ku në një artikull thekson se hapja e kampit ishte parashikuar të ndodhte në fillim të muajit gusht, por procesi u shty me disa javë.

Me rëndësi, La Repubblica konsideron rregulloren e kampit. Stafi që do shërbejë aty, duke përfshirë edhe ata që do punojnë në kuzhinë apo si sanitarë, përvecc policëve, do të përballen me një rregullore tejet strikte, që cilësohet edhe si “surreale”.

Kodi i Etikës “këshillon” burrat italianë të stafit të kampit që të mos flirtojnë me gratë shqiptare pasi bashkëshortët e tyre mund të reagojnë keq. Ka një kod edhe për veshjen, krahas sjelljes morale.

Autoritetet kanë hartuar një rregullore, e cila do i shpërndahet stafit italian që do të jetë në Shqipëri. Ndër të tjera, në këtë rregullore, kërkohet që të vishen thjesht dhe të bëjnë kujdes sesi sillen me gratë shqiptare, pasi partneri i saj mund të sillet keq”, shkruan La Repubblica.

“Konsumimi i kafes nuk është në banak, por vetëm ulur, në restorante përmbajuni menusë, kërkesat për ndryshime nuk janë të mirëpritura”. Dhe, në fund, rekomandimi i rekomandimeve: “Kini kujdes se si flisni… pothuajse të gjithë shqiptarët dinë italisht!”.

Kapaciteti maksimal i numrit të imigrantëve që do presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në një muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit të autoriteteve italiane, do largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar. Sipas marrëveshjes mes Shqipërisë e Italisë, nënshkruar më datë 6 nëntor 2023, porti i zbarkimit të refugjatëve nga vendet e treta do jetë në Shëngjin, ku është ngritur qendra pritëse. Në Gjadër do të ndërtohet kampi ku do qëndrojnë deri në shqyrtimin e kërkesave për azil.

Rregullorja apo manuali etik për policët italianë:

1-Popullsia shqiptare është shumë mikpritëse, por duhet të merren parasysh disa masa paraprake të dobishme. Shqiptarëve nuk u pëlqen të nënvlerësohen në kuptimin që të mos paraqiten kurrë me një qasje superiore.

2-Ata janë një popull modest, prandaj lakuriqësia apo veshja më pak modeste në publik nuk është e mirëseardhur.

3-Shmangni shoqërimin me gratë shqiptare në kontekste të ndryshme dhe në mënyrë të jashtëzakonshme. Është një shoqëri më konservatore, sidomos në veri të vendit. Burri që e njeh ose e sheh gruan e tij duke u ballafaquar nga një burrë tjetër, mund të reagojë keq.

4-Shqipëria është një vend shumë i sigurt, nuk ka mikrokrim (as vjedhje, as grabitje, as ngacmime seksuale). Prandaj shmangni qëndrimet e mosbesimit.

5-Në Shqipëri nuk ka fanatizëm fetar. Pavarësisht se është një vend me shumicë myslimane (mbi 50% të popullsisë), ekziston bashkëjetesa paqësore e feve të ndryshme, duke përfshirë sektet e krishtera ortodokse, të krishtera katolike dhe sektet islamike heterodokse.

6-Kafeja nuk konsumohet në banak, por vetëm ulur: kjo është një traditë absolute që duhet ndjekur.

7-Në restorante, përmbajuni asaj që është përcaktuar në menu: kërkesat për ndryshime në menu nuk janë të mirëseardhura dhe çojnë në gabime dhe keqkuptime.

8-Gatimet shqiptare janë shumë pikante.

9-Kursi i këmbimit është paksa i pafavorshëm në raport me 1 me 100 (1 euro është ekuivalente me afërsisht 100 lekë dhe për këtë arsye nëse paguani në euro humbni afërsisht 0.29 lekë cent, nëse bëni shkëmbimin operacionet kushtojnë shumë më tepër, ashtu si tërheqja dhe transaksionet me kartë krediti, të cilat nuk pranohen kudo).

10-Karburanti (veçanërisht nafta), ka një kosto më të lartë në krahasim me atë në Itali

11-Qendrat tregtare italiane kanë çmime dukshëm më të larta se ato lokale

12-Kini shumë kujdes kur përdorni makina private dhe të kompanisë, për shkak të kushteve të pasigurta të rrugës.

13-Zona e Gjadrit është shumë e infektuar me insekte dhe mushkonja, prandaj rekomandohet sjellja e produkteve repelente (dezinfenktantë).

14-Kushtojini vëmendje mënyrës sesi flisni… pothuajse të gjithë shqiptarët e dinë mirë italishten.

(BalkanWeb) 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb