TIRANE – Vetëm 7 nga 140 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë janë anëtarë aktivë të Bibliotekës Kombëtare e parlamentare, dhe vetëm 3 prej tyre tërheqin libra. Këto janë statistikat që zbulon politologu Afrim Krasniqi, i cili thotë se ‘ky është bilanci i një Kuvendi ku përfaqësuesit e popullit nuk zgjidhen falë formimit të tyre, por falë parasë’.

Por në raport me librin, Krasniqi thotë se shqiptarët po e braktisin çdo ditë e më shumë atë, pasi më shumë se gjysma e qytetarëve sot nuk kanë as librari dhe as bibliotekë.

“ Ne sot kemi numrin më të vogël të juristëve në historinë e Parlamentit, kemi numrin më të vogël të akademikëve në historinë e Parlamentit, kemi numrin më të vogël të profesorëve në historinë e parlamentarizmit.”- shprehet Krasniqi.

Këtë konstatim, politologu Afrim Krasniqi e shoqëron me të dhëna shqetësuese për raportin që kanë me librin deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Bibliotekën parlamentare nuk e kanë vizituar asnjëherë 133 përfaqësues të popullit.

“Nëse eurodeputetët përdorin 10 vajtja në 10 tërheqje nga bibliotekat dhe vizita pa fund në biblioteka për të marrë arkiva, të dhëna që i duhen për fjalimet e tyre dhe për punën e tyre, në Shqipëri ndodh që maksimumi 7 deputetë kanë vizituar ajo që quhet libraria e parlamentit dhe Biblioteka Kombëtare dhe vetëm 3 prej tyre rezultojnë që janë klientë dhe që tërheqin libra.”- deklaron Krasniqi.

Por politika duket se nuk është e vetmja që e ka refuzuar leximin. Sipas të dhënave më shumë se gjysma e qyteteve nuk kanë as librari dhe as bibliotekë, më shumë se gjysma e universiteteve nuk kanë sallë leximi në biblioteka, më shumë se 2/3 e shkollave tona nuk kanë klube leximi.

“Shumica e librarive janë shndërruar në atë që quhet kafe ose qendra të lotove, ku gjenden disa libra dhe në aspektin e reklamimit të librit ne shohim një situatë paradoksale. Ne Shqipëria librat më të shitur janë librat e politikanëve.”- deklaron Krasniqi.

Shqipëria rrallë figuron në statistika referuese ndërkombëtare mbi librin dhe lexuesit e saj, ku të dhënat me të shpeshta janë ato të panaireve.(ChannelOne)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: